Drejtësia

U arrestua për blerje votash, GJKKO liron babanë e kandidates së PSD: Nuk kemi lidhje me gjëra të tilla

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka lënë në “arrest shtëpie”, Pandeli Bozhën, babain e kandidates së PSD Limonera Bozhën, pasi dyshohet nga SPAK se ka blerë vota për të bijën.

Vetë kandidatja ishte e pranishme në seancën ku u konfirmua masa e arrestit për të atin, por mohoi që akuzat të jenë të vërteta.

“Nuk jemi përfshirë në gjëra të tilla, kështu që koha do ta provojë edhe këtë”, – u shpreh Bozha.

Pandeli Bozha, i njohur edhe si Agrim Brahimllari u arrestua nga policia për krime zgjedhore në një qendër votimi të Fierit, ku edhe vajza e tij kandidonte për ligjvënëse nën siglën e Partisë Social Demokrate.

Masa e dhënë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar erdhi për shkak të moshës së shtyrë dhe gjendjes së rënduar shëndetësore të Bozhës.

Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, ngjarja ka ndodhur më 8 maj, kur Bozha i ka ofruar një shtetasi një shumë parash dhe një fletë votimi të ngjashme me atë zyrtaren, ku ishte theksuar me ngjyrë portokalli emri i së bijës, duke i kërkuar mbështetje në zgjedhje.

Ndaj personit me të cilin ka komunikuar Bozha është marrë masa e procedimit në gjendje të lirë, ndërsa organi i akuzës po heton nëse kemi të bëjmë me një rast të mirëorganizuar të shitblerjes së votës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë