Bota

Tym i zi nga oxhaku i Kapelës Sistine në Vatikan, dështon zgjedhja e Papës së ri në votimin e parë

Gazeta Si – Në orën 21:00, nga oxhaku i Kapelës Sistine doli tym i zi: kjo do të thotë se Konklava që filloi sot, nuk zgjodhi një Papë të ri në votimin e parë. Nga nesër, e enjte 8 maj 2025, do të ketë katër votime në ditë, dy në mëngjes dhe dy pasdite.

Ditën e sotme, 133 kardinalë me të drejtë vote u mbyllën në Kapelën Sistine, pasi bënë secili më vete pas orës 16:30 betimin me dorën mbi Bibël për ruajtjen e sekretit për gjithçka diskutohet në konklavë.

Kardinalët nuk dalin prej andej deri kur nga oxhaku të dalë tym i bardhë, që do të njoftojë zgjedhjen e Papës së 267-të.

Gjithashtu gjatë kësaj periudhe, ata nuk kanë asnjë kontakt me botën e jashtme. Kardinalët pjesëmarrës kanë parashikuar më herët që kjo konklavë të mos zgjasë më tepër se 3 ditë. Ndërkohë kardinalët e nisën ditën me një meshë publike në bazilikën e Shën Pjetrit. Masat e sigurisë përreth Selisë së Shenjtë janë të larta dhe garantohen nga 4 mijë trupa sigurie.

Si del dhe nga nga vjen tymi?

Stufa tradicionale e përdorur për konklavën në Kapelën Sistine është një cilindër prej gize rreth një metër i lartë, brenda të cilit ndizet një zjarr dhe fletët e votimit që përmbajnë votat e kardinalëve digjen. Që nga viti 1939 ka qenë gjithmonë i njëjtë: në kapak janë datat e konklavave në të cilat është përdorur.

Megjithatë, që nga konklava e vitit 2005, pranë kësaj sobë është vendosur një gjenerator elektronik tymi: ai punon me bomba tymuese dhe shërben për të rritur dukshmërinë dhe qartësinë e tymit.

Në të kaluarën, në fakt, kishte pasur situata të paqarta, sepse ngjyra e tymit varej nga djegia e materialeve natyrore (kartona, kashtë, katran) dhe tymi shpesh ishte gri ose i paqartë.

Si rezultat, nuk ishte e qartë nëse kishte një Papë të ri apo jo. Me gjeneratorin e ri, në vend të tyre përdoren aditivë kimikë, të cilët janë shumë më të dallueshëm: për tymin e zi, përdoret perklorati i kaliumit, antraceni dhe squfuri; për të bardhën klorati i kaliumit, laktoza dhe kolofon.

Tubat e sobës dhe gjeneratori elektronik bashkohen në një kanal të vetëm, i cili më pas derdhet në oxhak nga i cili në fakt del tymi i zi ose i bardhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë