Bota

Turqia s’do ta ratifikojë kandidaturën e Suedisë për në NATO deri në tetor

Suedia duhet të presë deri në tetor për t’u bërë bjesë e aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO.

Këtë e ka bërë me dije presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili ka deklaruar se vendi i tij nuk do e ratifikojë kandidaturën e Suedisë deri në tetor të këtij viti.

Deklarata e Erdogan vjen vetëm një ditë pasi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dha lajmin e mirë nga samiti në Vilinius se Turqia është dakordësuar të mos e bllokojë Suedinë.

Megjithatë, Erdogan ka gjetur një tjetër justifikim. Duke folur me gazetarët, ai ka thënë se Parlamenti i Turqisë është në pushim për dy muaj dhe më pas “ka shumë propozime (të tjera) legjislative për të diskutuar”.

Turqia e kundërshton anëtarësimin duke pretenduar se Suedia strehon anëtarë të grupeve militante, që Ankaraja i konsideron terroriste.

Por Turqia nuk është i vetmi vend që e ka shtyrë ratifikimin e kandidaturës suedeze deri në vjeshtë. Një gjë të tillë e ka njoftuar edhe Hungaria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë