Analize

Turqia ndahet mëdysh! Si arriti Erdogani të fitonte sërish?

Deri para këtyre zgjedhjeve, opozita turke shpresonte shumë se pas 15 vitesh kishte gjetur çelësat, në mos të largimit të Recep Taip Erdogan, të paktën të kufizimit të pushtetit e tij përmes shumicës në Parlament.

Opozita e përçarë për shumë vite, për herë të parë doli e bashkuar kundër Erdogan në zgjedhjet parlamentare, ndërsa për presidencialet besonte fort se kishte gjetur një figurë karizmatike si Muharrem Ince, një politikan pasionant që bëri për vete turmat dhe në mitingun përmbyllës të fushatës arriti që të nxjerrë 1 milionë mbështetës në shesh.

Sondazhet parazgjedhore sugjeronin që Ince do t’ja dilte mbanë që të përballej në balotazh me Recep Taip Erdogan. Ekonomia turke, që është pika më e fortë e Erdogan ka ndaluar rritjen, ndërsa inflacioni ka shkuar në 12 për qind, duke bërë që lira vendase të humbasë një të pestën e vlerës së saj që nga fillimi i këtij viti, e po ashtu Erdoganit t’i firojnë mbështetësit.

Kandidatja nacionaliste, Meral Aksener

Nga ana tjetër, nacionalistja Meral Aksener parashikohej “t’i vidhte” Erdoganit një numër jo të vogël mbështetësish dhe me të drejtë, për herë të parë pas 15 vitesh disfata, opozita nisi të besojë vërtetë se kishte ardhur momenti i saj. Por nuk ndodhi kështu.

“Ai është gjithçka për ne! Pa të ky vend nuk do të ekzistonte. Organizatat terroriste humbën dhe kombi turk fitoi”, thanë për BBC mbështetësit e grumbulluar tek selia qendrore e AKP-së, partisë së Recep Taip Erdogan fill pas publikimit të rezultateve të para nga zgjedhjet e së dielës.

Rezultatet për zgjedhjet Presidenciale

As largimi dhe as kufizimi i pushtetit të Erdogan nuk ndodhi dhe një ditë pas zgjedhjeve, turqit opozitarë po pyesin veten se si u mbërrit deri këtu? Si ndodhi që fituesi serial zgjedhor rrëzoi të gjitha sondazhet dhe pritshmëritë e opozitarëve dhe fitoi sërish?

Kishte dy surpriza që i dhanë fitoren e shumëkërkuar Erdoganit. Së pari, votat e marra së bashku të Muharrem Ince dhe Meral Aksener nuk ishin ato që parashikohej. 30.7 për qind të elektoratit është një shifër e konsiderueshme për Muharrem Ince, që në muajin prill doli si kandidat, por sondazhet parazgjedhore e nxirrnin shumë më lart.

Nga ana tjetër, Meral Aksener shihej që në fillim si një kërcënim për të fragmentarizuar votën e nacionalistëve, që mbështesin në masë Erdoganin, por nuk rezultoi kështu. Ajo arriti që të shkëpusë disa mbështetës të Presidentit, por shifrat nuk ishin në nivelin që të rrëzonin Erdogan nga froni.

Surpriza e dytë lidhet me rezultatin në zgjedhjet parlamentare. MHP, partia e ekstremit të djathtë në Turqi, që është në koalicion me Erdogan arriti një rezultat që para këtyre zgjedhjeve as mbështetësit më të flaktë të saj nuk e besonin.

Rezultatet për zgjedhjet Parlamentare

Udhëheqësi i saj është 70 vjeç tashmë, i mungon popullariteti dhe nuk zhvilloi asnjë takim elektoral dhe asnjë miting përgjatë fushatës zgjedhore, por ja doli mbanë që të sigurojë 11 për qind të votave, duke i siguruar Erdoganit shumicën në Parlament.

Megjithatë, akuzat për manipulime janë të forta dhe ato mbërrijnë nga të gjitha anët. Opozita turke akuzoi agjencinë e lajmeve Anadolu se gjatë numërimit dilte me rezultatet e sakta të zgjedhjeve në zona të caktuara ende pa përfunduar procesi, madje në disa raste ende pa u hapur kutitë.

Opozita thotë se miliona vota nuk u numëruan, ose u konsideruan të pavlefshme dhe se burimi i vetëm i informacionit për rezultatin ishte një agjenci lajmesh tërësisht nën kontrollin e Recep Taip Erdogan.

Në fakt, liria e medias në Turqi është përkeqësuar që pas grushtit të dështuar të shtetit të 2016-s. Pas kësaj ngjarjeje, nën masën e jashtëzakonshme që mbajti në fuqi, Erdogan detyroi shumë media, që konsideroheshin opozitare ndaj tij, që të mbylleshin, ose të shiteshin tek persona të afërt me pushtetin e tij.

Qeveria mohon akuzat. Erdogan vetë doli me një deklaratë duke i cilësuar deklaratat e opozitës si justifikime për të fshehur dështimin e saj.

Por, e vërteta është se mes turqëve Erdogan mbetet ende politikani më popullor. Për konservatorët fetarë, që nuk janë të paktë në numër, ai është zëri i tyre, është mbijetesa e tyre në një vend ku janë ndjerë të margjinalizuar dhe lënë mënjanë për vite nga qeveritë e mëparshme sekulare.

Mbështetës të Erdogan festojnë fitoren pas rezultateve të para

Për këtë shtresë mbyllja e rrjeteve sociale, kufizimi i internetit, mbyllja e mediave dhe burgosja e gazetarëve nuk përbën asnjë shqetësim. Për ta mjafton përmirësimi i jetesës, mjaftojnë rrugët, shkollat, urat dhe spitalet e ndërtuara nga Erdogan për t’iu betuar për mbështetje.

Për kritikët, përplasja me Perëndimin dhe veçanërisht vendet e Bashkimit Europian është e pafalshme dhe po çon Turqinë gjithnjë e më larg ëndrrës së hershme për anëtarësim në këtë union. Për mbështetësit e tij, Erdogan është heroi që u është kundërvënë imperialistëve, që dështuan të shkatërrojnë Turqinë në fund të Luftës së Parë Botërore, por që vazhdojnë përpjekjet për ta bërë këtë.

Selahattin Demirtas iu adresua votuesve nga qelia e burgut, ku kërkoi që të parandalonin ngritjen e një regjimi të një njeriu

Një ngushëllim për opozitarët është fakti që partia kurde HDP, e goditur ashpër nga arrestimet dhe persekutimi, aq sa udhëheqësi i saj garoi për President nga qelia e një burgu, arriti që të kalojë pragun e 10 përqindëshit dhe të sigurojë më shumë se 60 vende në Parlament, duke premtuar që të vazhdojë të jetë një zë i fortë për barazi dhe demokraci në vend.

Ngushëllimi tjetër është se pavarësisht se 90 për qind e mediave ishin proqeveritare dhe në masë nuk pasqyronin aktivitetet e opozitës, pavarësisht se posterat e Erdogan i gjejë në çdo rrugë e cep të Turqisë shumë herë më të numërt se ata të opozitës, pavarësisht se zgjedhjet u zhvilluan nën një gjendje emergjence të vendosur që pas grushtit të shtetit në vitin 2016 dhe pavarësisht burgosjes së gazetarëve dhe akademikëve, Erdogan mori vetëm gjysmën e votave dhe jo më shumë.

“Po jetojmë në një regjim fashist, por regjimet fashiste nuk i fitojnë zgjedhjet me 53 për qind, por me 90 për qind. Kjo tregon se vlerat progresive janë ende të forta këtu dhe mund të ngrihen akoma më fort”, deklaroi deputeti opozitar, Selin Sayek.

Deri atëherë, turqit do të kenë Erdoganin, që me kompetencat e reja që merr nga Kushtetuta e ndryshuar e vendit, si fuqia për të zgjedhur ministrat e kabinetit qeveritar dhe emërimit të gjyqtarëve të lartë bëhet njeriu më i pushtetshëm në Turqi që nga epoka e Qemal Ataturkut.

Erdogani synon të qeverisë Turqinë i patrazuar të paktën deri në vitin 2023, një shekull pas themelimit nga Ataturku dhe opozita nuk ka më kohë për të humbur, por duhet të mbledhë veten dhe forcat dhe të vrasë mendjen sesi mund ta mposhtë atë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë