Iniciativa e Turqisë për të lobuar në arenën ndërkombëtare për njohjen e Kosovës duket se ka shkaktuar një sërë reagimesh dhe paralajmërimesh të ashpra në Serbi, pavarësisht se marrëdhëniet mes dy Beogradit dhe Ankarasë janë në kulmin e tyre.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha sot se Serbia do të kundërshtojë ashpër Ankaranë nëse do të nis një mision për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
I pyetur në lidhje me paralajmërimin e presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan se ai do të intensifikojë lobimin për pavarësinë e Kosovës, Vuçiç tha se Turqia është superfuqi, por kjo nuk do të thotë se Serbia nuk do të mbrojë interesat e saj.
“Unë do të përpiqem të flas me Erdogan. Deri më 1 shtator, sipas marrëveshjes së Uashingtonit, të dy palët detyrohet të mos lobojnë për njohje ose tërheqjen e pavarësisë. Nëse ata fillojnë aksionin e njohjes nga 1 shtatori, ose ndoshta para kësaj, ne do ta kundërshtojmë”, theksoi Vuçiç.
Presidenti theksoi se Turqia është fuqi e madhe, por ai nënvizoi se “Serbia nuk është aq e vogël sa që nuk do të përpiqej të kundërshtonte”.

“Na mbetet të luftojmë për vendin dhe popullin tonë. Ne nuk kemi atdhe rezervë, kështu që do të shohim. Erdogan është shumë i fuqishëm, ne nuk jemi, dhe shpresoj se ai do të zbutet. Nëse ai nuk zbutet, ne do të luftojmë për vendin tonë. Dhe nga Zoti, ju do të shihni se ne nuk jemi aq të vegjël sa kam thënë”, tha Vuçiç.
Paralajmërimi vjen pasi Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha një konferencë për shtyp para vizitës në Republikën Turke të Qipros së Veriut se duhet të punohet për të rritur numrin e shteteve që njohin Kosovën.
“Ne përpiqemi të krijojmë kontakte të nivelit të lartë me vende të ndryshme, me në krye Azerbajxhanin. Ne do t’i vazhdojmë këto përpjekje. Ne bëjmë punë të ngjashme kudo që ka viktima dhe të shtypur. Për Kosovën duam të rrisim numrin e njohjeve, i cili aktualisht është 114, edhe më shumë”, tha Erdogan.
Presidenti deklaroi madje se për rritjen e vendeve që njohin Kosovën do të diskutonte edhe me presidentin amerikan, Joe Biden.
“Ne do t’i diskutojmë këto çështje në takimin tim me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden në Asamblenë e Përgjithshme të OKB këtë vit. Le të punojmë së bashku për njohjen e Kosovës. Unë do t’ia propozoj këtë ide“, u shpreh Presidenti Recep Tayyip Erdogan.
Shteti i Turqisë është një ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008. Eksperti Safet Gërxhaliu, shprehet se nuk habitet nga iniciativa e fundit e Erdogan, pasi Turqia ka qenë, është dhe duhet të jetë partnere strategjike e Kosovës. “Kosova, thotë ai, është produkt i diplomacisë ndërkombëtare dhe në këtë drejtim Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet europiane kanë dhënë kontribut të çmuar në formimin dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ku nuk duhet të mohohet edhe kontributi i Turqisë, dhënë në forma të ndryshme. Vlera e investimeve në 15 vjetët e fundit nga shteti i Turqisë në Kosovë arritën në mbi 435.6 milionë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




