Ushqim

Turqia dhe Greqia po ‘zihen’ për kukurecin e Shqipërisë

Nga Gazeta “Si”- Mediat turke po i kushtojnë reportazhe të tëra dhe faqe të para kukurecit duke argumentuar se ai është turk. Sipas mediave turke, është Greqia ajo që po pretendon të marrë këtë gatim. Por cila është origjina e kukurecit?

Shef Arvin Kita thotë për Gazetasi.al se në fakt kukureci është një ndër të paktat gatime me prejardhje nga çobanët e Shqipërisë, më saktë nga malësia e Vlorës.

“Grekët e kanë pranuar, madje e kanë edhe në kuiz që është gatim shqiptar”, thotë Kita duke shtuar se nëse do të ishte gatim turk, do të ishte i shtrirë gjerësisht në të gjithë vendin, ndërkohë që është një gatim që bëhet vetëm në zona të veçanta.

Ndoshta ‘kleçka’ qëndron tek fakti se shumë vende e konsiderojnë kukurec çdo të brendshme bagëtie të mbështjellë me zorrë.

Shef Kita sqaron për Gazetasi.al se jo çdo e brendshme bagëtie e mbështjellë me zorrë është kukurec.

Gjithashtu, “kukureci ka marinim të veçantë dhe do merakli të bëhet si duhet”.

Kita thotë se të brendshmet e qengjit janë perfekte për të bërë kukurec.

Sipas gjuhëtarit dhe filologut grek Georgios Babiniotis, fjala greke κοκορέτσι (kokoretsi) vjen nga shqipja kukurec.

Ndërsa sipas gjuhëtarit turko-armen Sevan Nişanyan, fjala shqipe kukurec është një fjalë e huazuar që rrjedh nga kukuruza serbo-kroate dhe bullgare, që do të thotë ‘misri’ në këto gjuhë.

Nişanyan thotë gjithashtu se fjala greke nuk rrjedh nga shqipja kukurec, por të dyja fjalët janë huazuar nga gjuhët sllave të jugut.

Fjala turke kokoreç u dëgjua për herë të parë në Lokanta Esrarı; një tregim i shkurtër i shkruar në vitin 1920 nga autori turk Ömer Seyfettin.

Autori shkruan se hera e parë që ka dëgjuar për ‘kokoreçin’, ka qenë kur i është paraqitur si specialitet i një shefi grek që punonte në një restorant të Stambollit.

Përshkruhej si një pjatë greke e bërë nga zorrët e holla.

Ndërkohë ditët e sotme në Turqi shefat e kuzhinës janë mbledhur duke deklaruar se “nuk do e lënë kokoreçin në dorë të grekëve”.

Madje, edhe shtetasit turk thonë se kukureci është i tyre dhe sfidojnë cdo grek që pretendon të kundërtën.

“Kokoreçi ynë është ndryshe, është i mrekullueshëm. Është diçka e mbetur nga të parët tanë”, thotë një banor.

Një pjatë identike me kukurecin modern dëshmohet për herë të parë në kuzhinën bizantine. E quanin plektín, koilióchorda ose chordókoila.

Emra të tjerë që gjenden në tekstet mesjetare janë gardoúmion dhe gardoúmenon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë