Gazeta Si – Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë, ka dënuar sulmet izraelite, që prej orëve të para të mëngjesit të së premtes, që kanë shkaktuar jo vetëm dëme materiale në vend, por gjithashtu dhe humbje të jeteve njerëzore, mes tyre komandantë të ndryshëm dhe fëmijë.
Përmes një njoftimi për shtyp, ministria dënon sulmin e bërë nga ana e izraelitëve ndaj Iranit. Sipas saj, ky sulm tregon se qeveria e Benjamin Netanjahut, nuk është e gatshme të zgjidhë asnjë çështje përmes diplomacisë.
Po kështu, ministria shkruan se Netanyahu nuk heziton të rrezikojë stabilitetin rajonal dhe paqen globale vetëm për interesat e veta.
Kështu, Turqia i bën thirrje Izraelit të ndalojë aktet agresive që mund të çojnë e në konflikte më të gjëra.
“Ne e dënojmë në shkallën më të rëndë sulmin ajror izraelit në Iran. Ky sulm, i cili përbën një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, është një provokim që i shërben politikës strategjike të destabilizimit të Izraelit në rajon. Koha e sulmeve, të cilat ndodhën gjatë negociatave të intensifikuara mbi programin bërthamor të Iranit, tregon qartë se qeveria Netanyahu nuk është e gatshme të zgjidhë asnjë çështje me mjete diplomatike dhe nuk heziton të rrezikojë stabilitetin rajonal dhe paqen globale për interesat e veta, – thuhet në njoftim. – Izraeli duhet të ndërpresë menjëherë veprimet e tij agresive që mund të çojnë në konflikte më të gjera. Ne përsërisim se nuk duam të shohim më gjakderdhje dhe shkatërrim në Lindjen e Mesme. I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë veprime urgjente për të parandaluar përhapjen e luftës”, njofton Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.