Lojëra me Dore

Turneu i Uimbëlldonit ndryshon traditën, lamtumirë “Middle Sunday” nga 2022-shi

Turneu Slam londinez vitin e ardhshëm do të luhet në 14 ditë pa ndërprerje. Për këtë edicion parashikohet 25% e publikut, ndërkohë që do të ketë gjoba dhe skualifikime për ata që nuk respektojnë rregullat.

Turneu i Uimbëlldonit ndodhet mes pandemisë dhe së ardhmes. Slam-i londinez sheh përpara, duke menduar për ndonjë modifikim për edicionet e ardhshme. Dhe i pari është vërtet një ndryshim epokal: do të eliminohet klasikja “Middle Sunday”, e diela e parë e turneut që zakonisht është “pushim” për tenistët. Nuk do të ndodhë që këtë vit, por duke filluar nga 2022-a, kur shpresohet që pandemia do të jetë lënë pas.

Turneu do të zhvillohet brenda 14 ditësh. Kopshtarët legjendarë të klubit kanë bërë një program për ta mbajtur barin në gjendje të mirë edhe pa asnjë ditë pushimi. Të rejat e fundit në lidhje me turneun londinez janë zbuluar para kohe gjatë konferencës tradicionale për shtyp. Ato do të zyrtarizohen javët e ardhshme, duke përfshirë këtu edhe çmimet që do të jepen.

Roxher Federer, 8 herë fitues në Uimbëlldon. Gazeta Si, 28 prill 2021

Pas anulimit të turneut në bar për shkak të Koronavirusit në 2020-ën, këtë vit “All England Club” synon të ketë pjesërisht publik, të paktën 25-30% të kapacitetit, por nuk përjashtohet mundësia që ky numër të rritet, në varësi të ecurisë së pandemisë në Mbretërinë e Bashkuar. Ende nuk është bërë e ditur, nëse të pranishmit do të kenë me vete një certifikatë “imuniteti”, por me siguri këtë herë nuk do të ketë radhë të gjata për bileta.

Organizatorët e turneut kanë vendosur të aplikojnë gjoba të kripura për lojtarët që nuk repsektojnë rregullat e grumbullimit. Për tenistët nuk lejohet që të marrin shtëpi me qira në zonën aty pranë, të gjithë duhet të qëndrojnë në hotelet e prenotuar nga “All England Club”. Edhe transporti është garantuar nga organizatorët dhe ata që nuk e respektojnë, përveç gjobës, mund të skualifikohen nga turneu. Do të ketë sërish gjyqtarë linje, që për t’i qëndruar traditës, nuk do të zëvendësohen nga “Hawke Eye”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë