Ekonomi

Turizmi shqiptar, një tjetër front i ekonomisë që u godit nga pushtimi rus i Ukrainës

Historia ka treguar që krizat nuk i prekin njësoj të gjitha vendet, por gjer tani është e sigurt se ekonomitë e shteteve që mbahen nga turistët ukrainas dhe rus, do të goditen jo pak.

Prej do vitesh ukrainasit kanë zbuluar tokën shqiptare me ofertat tërheqëse turistike që i rezervojnë që në qershor. E tashmë,lufta në Ukrainë nuk ka trazuar veç emocione por edhe ujrat e turizmit tonë.

Turisti ynë kryesor, nëse lëmë mënjanë pjesën shqipfolëse, është ai ukrainas. Sipas të dhënave të INSTAT, turistët nga Ukraina zënë një peshë prej 40% të turizmit bregdetar duke zgjedhur kryesisht destinacione si Durrësi apo Vlora.

Shqipëria pritej të ishte një destinacion i rëndësishëm për turistët nga Rusia dhe Ukraina në vitin 2022 dhe efekti negativ sipas operatorëve turistikë nuk do të jetë vetëm anulimi i pronotimeve por edhe skema e funksionimit më tej.

Në mesin e pasagjerëve me charter që vizitojnë Shqipërinë, ukrainasit sipas operatorëve të agjencive turistike shqiptare, janë ndër të parët që kryejnë rezervimet dhe që nuk na kanë braktisur as gjatë pandemisë.

“Në Shqipëri ishin parashikuar të vinin rreth 100 mijë ukrainas që në këtë situatë sigurisht mendohet të mos vijnë. Kjo është një kosto e madhe që do t’i kushtojë ekonomisë shqiptare rreth 70mln euro. Aktualisht nuk kemi ende kontakte me ta pasi në këtë situatë është vështirë të lidhesh.

 Ne mbase nuk do të prekemi aq shumë sa Turqia dhe sa Greqia që kanë një pjesë të konsiderueshme të turistëve rusë dhe ukrainas por efektet do jenë të mëdha edhe në Shqipëri”, tha për Gazetasi.al Rrahman Kasa, kreu i “Unionit Turistik.”

Rrahman Kasa, kreu i “Unionit Turistik.”

Ndër të tjera ai shton se strukturat turistike në vend po ndiejnë vështirësi për faktin se nisur nga përshkallëzimi i konfliktit, turistët që kanë paguar rreth 30-40% të ofertës së tyre turistike, mund të kërkojnë mbrapsht paratë e tyre.

“Zakonisht të gjithë turistët parapaguajnë një pjesë të paketës. Deri tani nuk kanë nisur ende të kërkojnë dëmshpërblimet apo të anulojnë rezervimet por sipas kontratës, në rast të fatkeqësive natyrore, brenda 60 ditësh mund të kërkojnë të dëmshpërblehen.

Kjo do i vinte në vështirësi hotelet dhe operatorët shqiptarë pasi këtë pjesë të parapagesave ata i kanë futur në meremetime. I kanë futur në shfrytëzim dhe sigurisht që kjo situatë do u ndikoje për keq dhe do i zërë ngushtë”, thotë mandej Kasa për Gazetasi.al.

“Vitet e fundit turizmi shqiptar po mbahet ndjeshëm nga turistët e Ukrainës. Ka ca kohë që janë në trend rritës hyrjet e tyre në Shqipëri por për këtë sezon turistik, rezervimet me gjasë do të anulohen tërësisht.

Atje është një luftë e ashpër ku po humbasin jetën edhe shumë civilë. Është tërësisht e kuptueshme që në këtë situatë nuk pritet të ketë rezervime të mëtejshme apo të mendojnë për pushimet.

Por është e vërtetë që turizmi shqiptar do të goditet jo pak. Nuk mendoj që do futet në një spirale krize aq të madhe siç ndodhi me pandeminë por as të vogla nuk do të jenë efektet”, thotë për Gazetasi.al Arjani që drejton agjencinë më të njëjtin emër.

Sipas të dhënave nga TIA(Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”), vitin e shkuar, në korrik – gusht fluturuan drejt Rinasit dhe anasjelltas, 38.5 mijë pasagjerë nga Ukraina, ose 65% më shumë se e njëjta periudhë e para pandemisë.

Turistët nga Ukraina zunë 22% të lëvizjeve me charter dhe ishin grupi i dytë më i madh pas polakëve.

Krahas turizmit, nëse lufta Rusi-Ukrainë zgjat dhe sanksionet gjithashtu, Shqipëria do të ndikohet prej saj me furnizimin e mallrave kryesore në vend, bukës dhe naftës.

 Përballja tjetër do të jetë me pamundësinë për të frenuar rritjen e çmimeve që do të sjellë lufta për të gjithë artikujt e importit në tërësi.

Ajo do ta ndikojë vendin tonë direkt, për shkak të varësisë së furnizimeve me naftë dhe grurë nga Rusia dhe indirekt, me rritjen e çmimeve të mallrave, pasi Ukraina është eksportues kryesor global për lëndë të para për industrinë ushqimore, sidomos të drithërave dhe të vajit të lulediellit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë