Treg

“Turizmi humbi 1,8 mld euro nga Covid-19. Rimëkëmbja, me qeverinë e re pas 25 prillit”

Kliton Gërxhani nga Shoqata Shqiptare e Tur Operatorëve dhe Agjencive Turistike llogarit që Covid-19 i ka shkaktuar turizmit shqiptar 1,8 mld euro humbje.

Në një intervistë për Gazetën “Si” Gërxhani thekson se humbja më e madhe e sektorit është në radhët e burimeve njerëzore të kualifikuara, të cilat është gati e pamundur të rekuperohen, pasi janë larguar jashtë.

Ai thotë se rimëkëmbja do të nisë me qeverinë e re pas 25 prillit dhe parashikon që të zgjasë deri në 2023.

Nëse mund të bëjmë një bilanc të turizmit shqiptar gjatë vitit pandemik; sa humbi sektori?

Kliton Gerxhani, ATOA

Humbja ka qenë shumë e madhe. Edhe nga insititucionet shtetërore pranohet kjo, pavarësisht se publikohen shifra edhe kondraditore nga koha në kohë.

Banka e Shqiperise tha që në 9-mujorin e parë patëm një humbje prej rreth 1 miliard Euro, por ne besojmë që gjithë viti 2020 u mbyll me një humbje rreth 1.5-1.8 miliard Euro.

Po ashtu një nga humbjet më të mëdha ishte pamundësia për të mbajtur në punë punonjësit e kualifikuar në turizëm prej gjatë gjithë këtyre viteve. Mbi gjysma e tyre janë larguar sipas një sondazhi të ATOA-s.

A iu dha ndihmë e nevojshme sektorit?

Jo. Nuk ju dha asnjë ndihmë specifike sektorit të turizmit, në kontrast me të gjithë vendet e tjera të rajonit, ku u ofruan disa paketa, dhe ku u bë një menaxhim më i studiuar dhe detajuar i situatës.

Në Shqipëri u shit formula “le të vijë gjithkush” dhe rezulati i një menaxhimi të tillë (nëse ky mund të quhet menaxhim) ishin humbjet e mësipërme.

Sa u rekuperua gjatë sezonit të verës?

Shumë pak. Tregu i Kosovës që ne shpresuam shumë dhe qe rizbuluam që jemi me fat që e kemi, erdhi në më pak se 50% e volumit të vjetshëm.

Risi dhe një ndihmë e vogël qe tregu vendas, që i detyruar të mos udhëtojë jashtë, shpenzoi në Shqipëri dhe zbuloi vende të reja.

Duke hedhur vështrimin nga 2021, a ka shpresë për rimëkëbje, veçanërisht të burimeve njerëzore të kualifikuara?

Siç e theksova më sipër, humbja e burimeve njerzore të kualifikuara është një nga më të mëdhatë për sektorin e turizmit. Dhe dyshoj se kjo do rekuperohet brenda 2021.

Si mund të rimëkëmbet sektori në tërësinë e tij me të gjithë degët?

Unë besoj tek idea që turizmi nuk do të jetë më si më parë. Të gjithë aktorët kryesorë të turizmit në botë, duan që të reflektojnë mbi problematikat e turizmit gjatë këtyre viteve.

COVID-i na dha një shuplakë që nuk duhet thjesht ta harrojmë, sepse nuk kemi garanci që nuk mund të vijë prapë.

Prandaj edhe në Shqipëri, nëse do të gjenim partnerin e duhur shtetëror, duhet të ulemi e të analizojmë çfarë kemi bërë keq gjatë gjithë këtyre viteve dhe si mund ti përmirësojmë duke patur parasysh edhe dëmet që na shkaktoi COVID-i.

Uroj që edhe sektori privat të ketë nxjerrë mësimin e duhur, e aktorët më cilësor të tij të ulen së bashku për të ndërtuar turizmin e të ardhmes në Shqipëri.

Keni një strategji ju si shoqatë dhe keni arritur të bisedoni me qeverinë për një plan afatgjatë rimëkëbjeje?

Idetë dhe strategjitë nuk na mungojnë, por mendoj se diçka thelbësore do dhe duhet të ndodhë me qeverinë e re të pas 25 Prillit.

Në sa kohë e parashikoni rikthimin e sektorit në nivelet parapandemike dhe si?

Rimëkëmbja e sektorit do zgjasë mendoj, më e pakta deri nga 2022-2023.

Kjo do jetë më e sigurt dhe e shpejtë, nëse aktorët kryesorë të turizmit në vend të mendojnë ndërtimin e një sektori më të pavarur, me një plan B në raste krizash të tilla, dhe një turizëm realisht të qëndrueshëm në përfitim të të gjithëve, dhe jo turizëm betonizimi për fitime të shpejta të disa individëve. /Intervistoi: S.Veizaj/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë