Nga Gisela Troplini – Sezoni veror 2021 në Shqipëri, kaloi pritshmëritë e vendosura për pandeminë, por nuk u kthye në normalitet, u përshtat me të.
Për vetëm qershor-korrik-gusht, në 2019-n, në vendin tonë hynë 4.772.328 turistë të huaj, ndërkohë për të njëjtën periudhë të vitit 2021 erdhën 3.302.434 turistë të huaj, rreth 30% më pak.

Në shifra duket sikur të huajt nuk e ndanë Shqipërinë nga harta e pushimeve të tyre edhe me kufizime Covid-i. Por Kryetari i Shoqatës së Tur-Operatorëve shqiptarë, Besnik Vathi, tregon për Gazetasi.al se në fakt shumica e këtyre “të huajve” janë shqiptarë me shtetësi të huaj, që u kthyen në Shqipëri pas një kohe me pamundësi lëvizjeje. Shqiptarët “e huaj” e mbajtën në këmbë turizmin kur turizmi pati nevojë për to.
Vathi tregon se bashkë me shqiptarët që u kthyen Shqipëria, për herë të parë u vizitua masivisht nga qytetarë të Lindjes së Mesme, Egjiptit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që i’u mundësua lëvizja pa viza drejt vendit tonë.
Një tjetër ndërlidhje që kontribuoi në numrin e lartë të turistëve në Shqipëri ishin masat anti-Covid të vendosura nga vendet e BE-së, por jo nga ne.
“Shqipëria u vizitua këtë sezon veror nga shumë qytetarë indianë dhe arabë që e përdorën Shqipërinë si transit për të evituar karantinën 10 ditorë që kërkonin vendet europiane.” Kështu, 10 ditëshin zgjidhnin ta kalonin në Shqipëri, pa masa dhe pushime në Mesdhe.
“Sezonit veror i munguan turistët anglezë, amerikanë e skandinavë që kanë gjithmonë target Shqipërinë. Kjo për shkak të pamundësisë së lëvizjes nga kufizimet e vendosura nga vendet e tyre,”- tregon Vathi.
Ai shpjegon se ndonëse erdhi një masë e turistëve të tjerë nga lindja , nuk zëvendësojnë dot turistët e përhershëm të Shqipërisë pasi struktura e konsumit është ndryshe dhe qarkullimi I tyre është më i gjerë. .

Një pengesë tjetër që kreu i Tur-Operatorëve përmend është hapja e vonshme e kufijve të Greqisë e cila drejtpërdrejtë privoi qytetet e jugut nga vizitorët. Udhëtimet për në Korfuz apo Greqi, nga të huajt, nisnin nga Saranda, ata mund të kaloi net dhe ditë aty para se të shkonin për në Korfuz, Saranda nuk ka pasur vizitorë të huaj deri nga mesi i verës.
Për Vathin, turizmi e vuajti dhe vazhdon ta vuajë pandeminë dhe nuk mundet kurrsesi të rikuperohet nën kufizime. Për sa kohë gjendja të jetë e tillë dhe sektori turistik do veprojë i cunguar, pas nuk mundet të operojë me limite dhe masa mbrojtëse.
Ai tregon se për pushimet e fund vitit nuk ka ndonjë pritshmëri të lartë, përveç emigrantëve, pasi të huajt nuk do të zgjidhnin Shqipërinë për fundvit. Gjithsesi, konsumi i rritur në një periudhë aq të shkurtër nuk është i përfillshëm, në krahasim me çfarë Shqipëria është mësuar.
Sezoni turistik i verës në Shqipëri, gjithmonë ndryshon strukturën dhe sjelljen tradicionale të konsumatorëve dhe vetë tregjeve ekonomike, nisur nga tregu imobiliar, shërbimet argëtuese, aktivitetet ushqimore e deri tek kursi i këmbimit.
Shqiptarët në Shqipëri pritën shqiptarët nga jashtë për të mbajtur në këmbë biznesin. Mbyllën dinamikën e 3 muajve për t’ju rikthyer aktivitetit lokal në pritje të sezonit tjetër. Me të gjitha hamendësimet se çfarë mund të ndodhi sezoni tjetër, mund të themi vetëm se sezonit që lamë pas, nuk u rikuperua, por mbijetoi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



