Turizmi i këtij viti ka arritur nivelin më të mirë historik.
Të dhënat nga INSTAT, na tregojnë se për periudhën e nëntëmujorit, në vend kanë hyrë gjithsej 6.4 milionë shtetas të huaj. Kjo shifër është 32% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 18% më shumë se janar-shtatori i 2019-s, që konsiderohej deri tani si viti më i mirë i turizmit.
Vetëm në shtator, në vend hynë 761 mijë shtetas, 54% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 29% në raport me 9 mujorin e 2019-s.

Sipas INSTAT, 945 e hyrjeve të shtetasve të huaj kishin si qëllim vizitë personale tek të afërm, apo qëllime turistike.
Gjatë shtatorit nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja ka pasur rritjen më të madhe me 3.8 herë dhe Maqedonia e Veriut me 3.3 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.
Ndërsa gjatë nëntëmujorit nga vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Spanja sërish ka pasur rritjen më të madhe me 4 herë dhe Anglia me 2 herë. Zvicra është shteti që ka pasur rritjen më të ulët me 11.5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Më herët, Gazetasi.al ka shpjeguar se arsyeja themelore përse janë katërfishuar turistët spanjollë ishte shtimi i fluturimeve direkte me Spanjën nga Wizz Air.
Besnik Vathi, Kryetari i Shoqatës së Tur-operatorëve thotë për Gazetasi.al se fluturimet e drejtpërdrejta nga Madridi dhe Barcelona do të vijojnë ta mbajnë të lartë numrin e spanjollëve që vizitojnë Shqipërinë.
“Vitin e ardhshëm do të shtohet një tjetër linjë drejt Madridit”, shton ai për Gazetasi.al.
Edhe daljet e shqiptarëve me rritje të ndjeshme
Sipas të dhënave të INSTAT, daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë shtatorit janë 1.371.621, duke shënuar një rritje me 42.7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Daljet e shtetasve shqiptarë janë 541.216, numër 47.5% më i lartë krahasuar me shtatorin e vitit të shkuar.
Numri i shqiptarëve që kanë jashtë gjatë nëntëmujorit është 4.390.611, duke u rritur 36.2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rriten udhëtimet përmes ajrit
Sipas INSTAT, në nëntëmujorin e vitit 2022, hyrjet dhe daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga pikat ajrore është rritur me 83.9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë;
Nga pikat detare është rritur me 47.3 % ndërsa nga pikat kufitare tokësore është rritur me 25.3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



