Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, tha se turizmi është “kali i betejës” për Shqipërinë.
Ndërsa shtoi se ky sektor është prioritet për vendin, Rama foli për shifrat e turistëve dhe theksoi interesin e sipërmarrësve të huaj për investuar në Shqipëri.
“Ne në Shqipëri kemi aeroportin që po zhvillohet me ritmin më të shpejtë në Europë në dy-tre vitet e fundit. Kemi lënë mbrapa Beogradin, që ka pasur aeroportin më të madh në rajon. Ne kemi qenë Koreja e Veriut e Europës njëherë e një kohë.
Në atë kohë, aeroporti ynë ishte praktikisht si një shkretëtirë. Të vije në Shqipëri në atë kohë, një nga kushtet ishte që të ishe marksist-leninist. Nuk po bëj shaka. Mesatarja vjetore para pak viteve ishte 5 mijë turistë. Vitin e kaluar e mbyllëm me përafërsisht 12 milionë turistë të huaj, në një vend me 2.5 milionë banorë. Aeroporti ynë shënoi 10 milionë pasagjerë që hynë dhe dolën nga territori shqiptar”, tha Rama.
Mandej, ndërsa deklaroi se po investohet në të gjithë Shqipërinë, Rama ceku edhe propozimin e dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, për të investuar në ishullin e Sazanit.
“Turizmi për ne është një industri ku po investojmë dhe e kemi prioritet. Në Shqipëri po investohet nga veriu në jug, në mal, në det, kudo. Ju sjell dhe disa shembuj: Jared Kushner do të investojë në ishullin e Sazanit, ndërsa një investim i madh është duke u kryer nga një kompani arabe e njohur, e cila po ndërton portin turistik të Durrësit”, tha Rama ndërsa shtoi se sfidë mbetet ruajtja e ekuilibrit për të mos humbur pasuritë natyrore të Shqipërisë.
Ai gjithashtu tha se Europa duhet të shkurtojë burokracitë, të jetë më e lirë dhe fleksible.
“Doja të shtoja diçka që mendoj se është e rëndësishme lidhur me këtë. Kemi disa avantazhe që jemi pak pas për t’u rritur e zhvilluar nga ato që kanë bërë të tjerët. Për shembull, Arabia Saudite dhe vendet e Gjirit janë një vend i jashtëzakonshëm prej të cilëve mund të mësosh.
Dhe sapo mëson për mënyrën sesi bëhen gjërat, mëson se përtej miteve dhe stereotipeve, ata po investojnë në mënyrë të jashtëzakonshme në dije, në arsimim në nivelin më të lartë. Kjo është ajo që po përpiqemi të bëjmë në një nivel tjetër. Po angazhojmë arkitektë të jashtëzakonshëm nga bota dhe po u japim jetë produkteve arkitekturore që nuk i gjen në rajon.
Kur e krahason me Europën, Europa është e bekuar nga e shkuar e lavdishme. Problemi i Europës sot është të ndajë mendjen dhe të fillojë të shkurtojë burokracinë, ta bëjë kontinentin më të lirë dhe fleksibël”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.