Vjet turizmi, për shkak të pandemisë arriti të mbahej në këmbë nga kosovarët të cilët zgjodhën të pushonin shqip por ata këtë verë nuk e kanë më Shqipërinë eksluzivisht për vete. Turistët e huaj kanë orientuar busullën drejt Shqipërisë e mes tyre kryesojnë polakët, çekët , belgët, izraelitët dhe ukrainasit.
Agjensitë kryesore në vend shpresonin që ky sezon turistik do të ishte më i mirë se ai i vitit të kaluar por megjithatë rezervimet këtë periudhë duket se i kanë kaluar pritshmëritë e tyre teksa vihet re një fluks të huajsh që po zgjedhin çdo ditë e më shumë të vizitojnë Shqipërinë.
Gazeta “SI” kontaktoi me drejtues të Matias Travel të cilët janë shpresëplotë se këto rezervime do të zgjasin deri në fund të shtatorit.
“Trendi u duk që do të ishte pozitiv kur rezervimet për ne filluan që në fund të prillit ndryshe nga vitet e tjera që nisin përtej 15 qershorit. Rezervimet më të mëdha janë bërë që nga fillimi për në jug në të cilin tani janë përqendruar pjesa më e madhe e turistëve të huaj.
Ata e duan jugun, kanë dëgjuar për të edhe vijnë me ide të qarta se cilat vende duan që të vizitojnë. Kryesisht nga jugu kanë zgjedhur të vizitojnë Sarandën, Himarën, gjirin e Gjipesë por shumë prej tyre këtë vit kanë zgjedhur edhe plazhin e Borshit. Përpos tyre, janë dhë shumë turistë të huaj që kanë zgjedhur të qëndrojnë për dy ose tre ditë në Tiranë.”
Të njëjtin trend rezervimesh pohojnë dhe aktorë të tjerë në treg jo vetëm të agjensive turistike por edhe të taksive që janë një tjetër tregues indirekt.
Eco Taxi, tha për gazetën “SI” se ky vit gati gati i përngjan vitit 2019 në lidhje me turistët e huaj, i cili përkon edhe me vitin më të mirë të sezonit turistik në Shqipëri.
“Ndryshe nga muajt e parë të këtij viti kur fitimet ishin mesatare, këtë periudhë kemi shumë punë dhe kjo përgjithësisht nga turistët e huaj e jo vetëm për shkak të temperaturave të larta.
Pjesa më e madhe që kanë udhëtuar me ne kanë qenë izraelitë, gjermanë edhe sidomos polakë gjatë muajit maj.
Xhiroja ime ditore tani shkon edhe rreth 200 mijë lekë të vjetra ndryshe nga muajt e parë të vitit që maksimumi që mund të fitoja ishte diku tek 30 mijë lekë po të vjetra.
E pëlqejnë shumë Shqipërinë, pjesa më e madhe e tyre më flasin të mrekulluar për jugun tonë sepse veriun nuk e kanë vizituar shumë.
Një pjesë e mirë e turistëve janë edhe emigrantë që janë kthyer me hapjen e kufijve por përgjithësisht janë të huaj të cilët kanë zgjedhur të kalojnë disa ditë pushime në Shqipëri.”
Enterprise Albania, një kompani makinash me qira pohon për gazetën SI se ka aq shumë fluks punë nga turistët e huaj sa shumë herë ata janë detyruar të mos u shërbenin një pjese të turistëve për shkak të mungesës së kapaciteteve.
Vitin e kaluar, numri i turistëve që erdhën në Shqipëri u ul me 50% në krahasim me një vit më parë dhe pavarësisht të gjithëve përpjekjeve për të nxitur zhvillimin e turizmit, kostot ishin dominuese përkundër fitimit por panorama këtë verë duket se po paraqitet ndryshe.
Vera është stina ku gjithnjë kulmon edhe interesi i turistëve për të vizituar Shqipërinë por duke marrë parasysh vitin e kaluar, ky sezon turistik pritej të ishte tërësisht në trazincion.
“Ne e kemi hapur për herë të parë hotelin këtë vit dhe nuk prisnim që do kishim ndonjë fluks të madh pune. Mendonim që do na duhej shumë kohë kur të arrinim në ditën që do të rezervoheshin të gjitha dhomat për verën por në fakt ndodhi krejt e kundërta.
Që nga fillimi i korrikut, hoteli ynë i cili përmban 17 dhoma ka qenë tërësisht plot dhe rezervimet më të mëdha janë bërë me booking nga të huajt.
Të gjithë prej tyre përgjithësisht kanë qëndruar pesë deri në shtatë ditë dhe nuk kanë patur kurrë asnjë ankesë për çmimet edhe pse me standardin shqiptar ne mendojmë që dhomat tona janë pak të shtrenjta ekonomikisht.
Kur largohen më thonë që do rikthehen sërish në Shqipëri dhe se ky vend ka shumë potencial për ta zhvilluar akoma më shumë turizmin.”-tha për gazetën “SI” Miela Goro, pronare e hotelit “Wait n sea”, i sapondërtuar këtë vit në Himarë.
Agjensitë turistike duket se nuk janë më të mbërthyera nga ethet e krizës dhe po i rikthehen normalitetit me numrin e lartë të turistëve të huaj që po vizitojnë Shqipërinë këto ditë.
Në një postim në Facebook, Edi Rama shkruan se nga data 1-15 Gusht kanë hyrë në Shqipëri rreth 859,316 shtetas të huaj, që janë 4.5% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2019, para pandemisë.
Turizmi shqipfolës nga kosovarët vijon të ketë një peshë të madhe sipas agjensive por më shumë ata po gjallërojnë vetëm fundjavat dhe netët e qëndrimit të tyre janë të pakta.
Situata e vështirë ku ndodheshin ekonomitë e thuajse gjithë globit prej pandemisë solli një konkurrencë agresive në tërheqjen e turistëve në momentin e hapjes por mesa duket, Shqipëria ishte një nga vendet e destinuara për t’u vizituar masivisht nga turistët e huaj këtë verë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




