Biznes

Turizmi edhe këtë sezon, ende me njerën këmbë në allçi

Sezoni turistik nisi  por nuk i shuan dot  kujtimet e trishta të një viti më parë megjithëse nuk e  ka humbur shpresën të dal nga spiralja e krizës dhe do të mund “të ngrinte krye” këtë vit.

Zinxhiri i hotelerive, bizneseve dhe agjensive që ishin më të goditurat nga ky sektor, nuk ka dalë ende nga terreni i vështirë ku u gjendën pavarësisht se rrjedha e gjërave po ndryshon disi.

Disa nga agjensitë më kryesore në vend pohuan për gazetën “SI” se numri i rezervimeve është rritur por megjithatë një sezon i “shpenguar” turistik është ende shumë larg  pavarësisht se sipas tyre qytetarët kanë qenë shumë të gatshëm të rezervojnë me dëshirën për t’iu rikthyer normalitetit.

Në “Matias Travel”, një agjensi e cila operon prej disa vitesh në Shqipëri, rezervimet për pushime kanë nisur që në fund të muajit prill si nga qytetarë shqiptarë por ashtu edhe nga turistë të huaj operatorët e të cilëve kanë nisur menjëherë të bëjnë check-inet .

Ky fluks rezervimesh që për ta ishte më i madh nga se pritej,ravijëzoi një panoramë më optimiste  me shpresën e një sezoni të mirë turistik.

Pandemia e gjeti Shqipërinë në kohën kur kishte lënë pas vitin më të mirë historik në turizëm ku të ardhurat nga udhëtimet për vitin 2019 ishin 2.1 miliardë euro dhe kur numri i agjencive të huaja të interesuara për bregdetin shqiptar, por jo vetëm, ishte në rrije. 

Vitin e kaluar, numri i turistëve që erdhën në Shqipëri u ul me 50% në krahasim me një vit më parë dhe pavarësisht të gjithëve përpjekjeve për të nxitur zhvillimin e turizmit, kostot ishin dominuese përkundër fitimit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në total, në vend kanë hyrë rreth 1.1 miliardë euro më pak, si rrjedhojë e shpenzimeve të munguara të turistëve por pavarësisht të gjithë përpjekjeve për të përmirësuar sezonin turistik, edhe për këtë vit pritshmëritë nuk janë shumë të mëdha.

“Kalemi Travel” gjithashtu pohoi se rezervimet janë shumë të larta në krahasim me vjet por shumë të ulëta në krahasim me vitin 2019, tregues ky që ditët e mira për turizmin shqiptar janë ende larg në horizont.

Gjithashtu, në të njëjtën  linjë jo fort të madhe optimizmi është dhe Shoqata e Tur-operatorëve që ka pohuar se suksesi i këtij sezoni turistik mbetet i kushtëzuar duke marrë parasysh dhe faktin se turizmi në pranverë ishte thuajse inekzistent dhe se qytetarët janë të frenuar në shpenzimet e tyre por megjithatë qershori duket shpresëdhënës.

Duke qenë se turizmi shqiptar është drejtëpërdrejtë i ndikuar nga turistët e huaj, ai ndikohet shumë dhe nga mënyra se si është ecuria e vaksinimit në vendet e tjera dhe nga hapja që do të realizohet në këta vende.

Vaksinimi në Shqipëri përveç se si shpresa e parë për sigurinë e jetës është parë dhe si një bazë e fortë për t’u rimëkëmbur ekonomikisht.

Nisja e tij në disa fronte dhe ritmet me të cilat ai ka lëvizur përbëjnë një lidhje pazgjithshmërisht të madhe me turizmin dhe ecurinë e tij.

Duke qenë se sipas Unionit Turistik në Shqipëri viteve të fundit në turizmin e organizuar, ata që kanë ardhur janë moshat e vjetra që nuk duan aventurë, por relaks, kjo kategori është e interesuar jo vetëm për vaksinimin e tyre por edhe të situatës në vendet ku ata pushojnë kështuqë pesha e ritmit të vaksinimit do të jetë e madhe.

Sipas Shoqatës, parashikimet për turizmin mund të jenë deri në 30% më mirë se sezoni i vitit të kaluar dhe gjithashtu edhe vjeshta pritet të jetë më mirë por megjithatë kjo mbetet për t’u vlerësuar.

Verën e kaluar Shqipëria hyri në tregun rajonal ku turistët kryesorë ishin jo vetëm nga Kosova por gjithashtu edhe nga Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia e të gjithë nën moton “Pusho shqip” zgjodhën bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet e tyre duke mbajtur kështu ekonominë e stimuluar.

Këtë vit parashikimet duket të jenë më mirë, një përqindje më e madhe se vjet do të zgjedhë po prapë të “pushojë shqip”.

Në fillim të pandemisë ne nuk e dinim se çfarë sillte e nesërmja por dinim që ekonomisë i duhej të mbijetonte e bashkë me të,edhe ky sektor.

Tashmë, pasi llogaritëm të gjithë kostot dhe dëmet që solli kolapsi i këtij sektori, e dimë mesiguri që ajo çka i nevojitet më së shumti ekonomisë tani është që turizmi, ky sektor që kontribuon në më shumë se 20% të PBB-së, nuk duhet të jetë më me “njerën këmbë në allçi”…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë