Treg

Turistët po u rikthehen sërish hosteleve shqiptare

Hostelet, të cilët veç një vendqëndrimi ekonomik me çmime të lira përfaqësojnë edhe “shpirtin e miqësisë” e një stil jetese, duket se tashmë kanë rinisur gradualisht punën duke gjetur sërish busullën e shpëtimit pas goditjes së pandemisë.

Bashkë me mbylljen e kufijve u mbyllën jo vetëm përkohësisht edhe dyert e disa syresh prej tyre, një efekt domino të cilit jo të gjithë i shpëtuan.

Por tashmë, në mesin e sezonit turistik e me mundësi më të lehtësuara në lëvizje duket se aktiviteti i  punës dalëngdalë po i rikthehet ritmit, me turistët që kanë nisur sërish t’u trokasin dyerve të drunjta.

Tirana Backpacker Hostel, i pari që nga viti 2005, i shpëtoi falimentimit falë një bashkëpunimi me dy shoqata kulturore me të cilat ndanë ambientin dhe kostot e qirasë dhe sot ka rinisur sërish punën, ndonëse punon vetëm me 30% të kapacitetit në këtë periudhë që në rrethana të tjera do të kishte fluks.

“Masat që u morën dhe bllokimi i lëvizjes gati na falimentuan. Ritmet e punës kanë rinisur, ndonëse ngadalë. Në rast të një mbyllje tjetër nuk do të ketë më kuptim që të vazhdojmë sërish të punojmë.

Turistët që vijnë janë kryesisht nga Europa, Amerika, Australia dhe Azia. Nga rajoni shumë pak, vetëm disa udhëtarë nga Kosova e Maqedonia”-tha për gazetën “SI” njëri nga drejtuesit e hostelit.

Aktorë të tjerë në treg pohojnë gjithashtu se kanë nisur rezervimet dhe në ndryshim nga numri i tyre që është i kufizuar, dëshira për të ndenjur në hostel dhe për të shijuar ndjesinë e tij është krejt e pakornizuar dhe shpërthyese.

“Turistët si të huaj dhe shqiptarë i pëlqejnë hostelet jo vetëm për faktin se njihen me njerëz të tjerë dhe zgjerojnë rrethin e tyre shoqëror, por edhe sepse në fund të ditës i harrojnë problemet që kanë.

Të mbërthen shpirti i aventurës, i festave, bisedave të gjata me njëri-tjetrin, lojrave në mesnatë e gatimit të përbashkët ku bëhet shumë qejf.

Pandemia i ndrydhi njerëzit, pamundësia për të qëndruar me të afërmit për një kohë të gjatë i ka bërë ata që sot ta ndiejnë më të domosdoshme se kurrë jo vetëm nevojën për të dalë dhe udhëtuar por gjithashtu edhe për të takuar e për të ndarë me njerëz që nuk i njeh, vendin tënd të qendrimit e shpeshherë edhe të fjetjes.”-tha për gazetën “SI” një tjetër pronar i një hosteli që operon prej disa vitesh në një rrugicë të Tiranës i cili pohon se ambientet e hostelit po rigjallërohen sërish.

E në fakt, veç faktit që hostelet nxisin ardhjen e më shumë turistëve individualë, ata janë kthyer edhe në një filozofi, përshkruajnë një sjellje, një mundësi njohje mes njerëzve të kulturave të ndryshme që ndajnë sëbashku shpirtin e aventurës.

Dashuria për udhëtimet, ky emërues i përbashkët i këtyre bujtësve, i ka mbledhur ata nëpër hostele, aty ku shpesh kanë lindur po dashuri e ku po aq shpesh është festuar deri në agim.

Florela, është një vajzë 26 vjeçare nga Shkodra e cila shpeshherë shkonte të kalonte një mbrëmje në hostele vetëm sepse i pëlqente ideologjia e tyre, derisa u punësua në një prej tyre.

“Hostelet janë shumë interesantë dhe në Shqipëri nuk vlerësohen mjaftueshëm. Ata janë pjesë e industrisë së turizmit në të cilën vendi ynë mbështetet shumë por për fat të keq edhe pse tashmë në dijeninë time operojnë rreth 200 të tillë, qeveria nuk parashikoi asnjë masë mbështetëse gjatë pandemisë për ne që u prekëm drejtëpërdrejtë nga mbyllja e kufijve.

Ishte një vit shumë i vështirë jo vetëm ekonomikisht por edhe nga ana shpirtërore. Njerëzit që janë të lidhur me hostelet e kanë parasysh se sa shumë të përfshijnë ata në brendësi të tyre ku energjia pozitive që shkëmbejmë me njëri-tjetrin është esenca e qëndrimit.

Ka disa vite që kam nisur punë në hostel dhe jam shumë e lumtur që pas një viti krejt pesimit, turistët kanë rinisur të kthehen.

Madje disa prej tyre janë të njëjtët, e duan Shqipërinë dhe duket se nuk do heqin dorë edhe për disa vite rradhazi nga ne.

Numri i turistëve në pandemi u ul nga 25 në ditë në 4-5 në javë, gjë që ishte ndryshim shumë drastik por tani situata ashtu si mbase me çdo sektor tjetër po përmirësohet. Një tendencë rezervimesh është vënë re edhe nga polakët këtë vit”-tha ajo për gazetën “SI.”

Në fakt, edhe sipas INSTAT, gjatë gjithë pesëmujorit të parë të vitit, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 4,5 herë.

Florela gjithashtu shtoi ndër të tjera faktin se,me ardhjen e tyre, çmimet e hosteleve kanë arritur sërish në nivelet para-pandemike dhe paratë kanë nisur të qarkullojnë.

“Kultura”, një tjetër hostel konfirmon gjithashtu për gazetën “SI” se ethet e krizës po largohen dhe ngjyrave të hosteleve, po u rikthehen dhe nuancat e aktivitetit të dikurshëm.

Pas një humbje me gati 90% në krahasim me vitin e kaluar, të zotët e saj janë shpresëplotë që në mos nivelin e fitimit të vitit 2019, do arrijnë të paktën gjysmën e tij.

Turizmi që zë peshën më të madhe të PBB-së mbahet shumë nga turistët e huaj të cilët qartazi e pëlqejnë idenë e hosteleve, e thënë këtë, këta të fundit duket se janë një grep i mirë për të tërhequr gjithnjë e më shumë të tillë nga të gjithë anët e botës.

Ata po rikthehen, tani në mes të sezonit, ku dashuritë mund të përsëdyten e festat do vijojnë të zgjasin po gjer në agim…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë