Nga Gazeta ‘Si’ – Turistët nga Amerika Latine që po vizitojnë Shqipërinë muajin e fundit, ndonëse më parë bënin përjashtim nga rajonet që zgjidhnin tipikisht vendin tonë, nuk janë lajm surprizë për operatorët turistikë.
Ky “nder” sipas tyre vjen prej katërfishimit të turistëve spanjollë gjatë vitit të shkuar, për të cilët Gazetasi.al ka shkruar edhe më herët.
Besnik Vathi, Kryetari i Shoqatës së Tur-Operatorëve thotë për Gazetasi.al se ndonëse nuk mund të themi që ardhja e turistëve nga Brazili, Meksika, Kili apo Peruja është një trend shumë masiv tani për momentin pasi nuk kemi ende shifra konkrete, situata në horizont ravijëzohet optimiste.
“Janë kompanitë spanjolle dhe portugeze të cilat meqë këto dy vitet e fundit filluan turizmin me Shqipërinë, me numra të lartë pushuesish që zgjodhën vendin tonë, janë edhe organizatorë të grupeve të Amerikës Latine.
Pikërisht këta tur-operatorë me anë të ofertave dhe paketave të ndryshme grumbullojnë klientë dhe i organizojnë në grupe me autobusë drejt Shqipërisë. Mund të themi se që pas hapjes së tregut me Spanjën, ka pasur prurje dhe zgjerim të numrit të turistëve nga Amerika Latine”, thotë ai për Gazetasi.al.
Gazetasi.al shkroi para do kohësh se shtimi i dy linjave të reja direkte fluturimi me Spanjën, përkatësisht nga Madridi dhe Barcelona gati 5 herë në ditë, rriti ndjeshëm prurjet e turistëve spanjollë në Shqipëri vitin e shkuar.
Ndryshe nga tregu rus apo ukrainas që duan turizmin blu, grupi i turistëve nga Amerika Latine parapëlqejnë më shumë turizmin e aventurës dhe atë historik-kulturor.
Sipas tur-operatorëve klima e ngrohtë është faktori kryesor që do të favorizojë Shqipërinë.
“Klima dhe kultura jonë me ta është pak a shumë e njëjtë dhe këtu ata ndihen si në shtëpi. E gjejnë vetën si tek arkitektura ashtu edhe tek historia. Ata e dua turizmin e aventurës. Hiking, kanoe, hedhje me parashutë dhe sporte të kësaj natyre. Por njëkohësisht, ata parapëlqejnë edhe turizmin e kulturës.
Turistët nga Brazili që kryesisht kanë zgjedhur Durrësin, si një pikë hyrëse dhe dalëse, e kanë pëlqyer shumë qytetin pavarësisht se moti nuk ka qenë favorizues për të bërë plazh.Kanë vizituar Amfiteatrin e Durrësit por kanë pëlqyer edhe Apolloninë”, thotë për Gazetasi.al një punonjëse pranë një agjencie turistike në kryeqytet.
Me të njëjtin optimizëm që ka për këtë grup, Vathi thekson për Gazetasi.al se ndonëse nuk bën dot parashikime për shifra të sakta, ka pritshmëri që numri i turistëve këtë verë do kalojë edhe shifrën e vitit të shkuar, prej 7.5 mln.
“Duke pasur parasysh që hapja vjet u bë më vonë për shkak të situatës pandemike, nuk ka asnjë arsye që këtë vit që jemi në kushte normale, të mos jetë më mirë se vjet që ka qenë verë e vonuar”, vëren gjithashtu ai.
Ndërsa për situatën me krizën e punonjësve ku si në verën e shkuar hoteleritë kanë mungesë stafi, Vathi thotë për Gazetasi.al se do të shihet më tej nëse kjo do të jetë apo jo në dëm të cilësisë.
Ndërsa shifrat e INSTAT për muajin prill nuk kanë dalë ende, të dhënat nga muaji mars tregojnë se numri i vizitorëve në Shqipëri u rrit me 30%, me kontributin kryesor nga jorezidentët.
Në numra, 40.5 mijë jo-rezidentë vizituan Shqipërinë gjatë marsit dhe 33.4 mijë rezidentë.
Numri i netë qëndrimeve gjithsej është rritur me 36%, në krahasim me marsin e vitit të shkuar. Jo-rezidentët kanë pasur 45% më shumë netë qëndrime, ndërsa rezidentët 26% më shumë.
Sipas llojit të akomodimit, 97% e tyre kaluan kohë në hotele dhe vende të ngjashme, por akomodimi në hapësirë(kampingje) u rrit me 2.2 herë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.