Treg

Turistët i dhanë hov aktivitetit të hotelerisë, rritjen më të lartë në tremujorin e tretë

Prurjet e shumta të turistëve gjatë 2022-shit, i cili konsiderohet si viti më i mirë i turizmit, i kanë dhov hov aktivitetit të hotelerisë që udhëhoqi zgjerimin e shërbimeve.

Gjatë tremujorit të tretë, ky sektor ka shënuar rritjen më të lartë nga të gjithë sektorët e tjerë të shërbimeve. 

Sipas të dhënave nga INSTAT, aktiviteti i hoteleve (indeksi i shitjeve neto në volum) u rrit me gati 39% në tremujorin e tretë, me bazë vjetore.

Edhe në bare e restorante shitjet u rritën me 13.4% për të njëjtën periudhë. 

Në të njëjtën linjë, rritje pati edhe aktiviteti i agjencive të udhëtimit, me 54%. 

Pas kufizimeve të pandemisë, udhëtimet u gjallëruan por kriza e çmimeve ndikuar nga lufta në Ukrainë i nxiti qytetarët drejt paketave më ekonomike turistike. 

Nga ana tjetër tregtia është ngadalësuar, me një rritje prej 3.9%, duke reflektuar një rënie të konsumit të brendshëm, si rrjedhojë e çmimeve të larta.

Pagat kanë vijuar rritjen në tremujorin e tretë në të gjithë sektorët, si rrjedhojë e presionit që po ushtron mungesa e fuqisë punëtore në tregun e punës.

Kriza e punonjësve dhe “nazet” janë pjesë e rimëkëmbjes ekonomike post-pandemike në të gjithë botën, që erdhi shumë më ndryshe nga se ishim mësuar.

Në një anë kërkesa është rritur, tregjet e punës kanë pafund vende të lira dhe duan t’i mbushin ato. Nga ana tjetër oferta është lëkundur. Miliona njerëz nuk duan të punojnë ose nuk pranojnë të punojnë për pak. Përfshirë pagën dhe dinjitetin si punonjës.

Në Shqipëri turizmit i munguan këtë vit 10 mijë punonjës dhe shpesh pronarët u detyruan të bëjnë vetë rolin e banakierit, shefit të kuzhinës apo recepsionistit. 

E njëjta mungesë e fuqisë punëtore vihet re edhe në sektorë të tjerë, sidomos në atë fason i cili aktualisht ka nevojë për 25 mijë punëtorë.

Rritja më e lartë e pagave ishte në sektorin e turizmit, me 35% dhe në komunikacion, me gati 50%, i nxitur kryesisht nga teknologjia e informacionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë