Gazeta Si – Fëmijët e paraqitur në urgjencë mbrëmjen e së premtes me simptoma helmimi ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Detajet për gjendjen e tyre i ka dhënë Drejtoresha e Spitalit Rajonal Vlorë, Bruna Mersini në një prononcim për mediat.
Mersini tha se bëhet fjalë për një grup turistësh nga Polonia, të cilët e kishin nisur udhëtimin mëngjesin e kësaj të premteje nga Shkodra.
“Nga 50 që ishin në autobus, rreth 20 prej tyre të moshës 14-15 vjeç kanë paraqitur simptoma. Mes tyre ka dhe fëmijë më të vegjël që po marrin kujdes shëndetësor në repartin e pediatrisë”, – tha ajo.
Sa i përket shkakut, mjekët dyshojnë se mund të jetë bërë ushqimi që kanë konsumuar ose orët e shumta të kaluara në diell.
“Pakujdesia ndaj konsumimit të ushqimeve është kudo dhe nga çdokush. Janë disa fëmijë të moshës 14, 15 vjeç, vijnë nga Polonia. Kanë udhëtuar gjithë ditën, nga Shkodra e më pas kanë marrë anijen për në Karaburun. Janë paraqitur me çrregullime gastrointestinale, por situata është nën kontroll. Gjendja e tyre është nën kontroll. Ne thjesht japim alertin prej numrit. Kur na vjen një pacient kështu, ne kryejmë hetimin epidemiologjik. Po kryhen analizat, por këta janë fëmijë. Edhe vapa, qëndrimi në diell në Karaburun mund të jetë një arsye e dytë, pa dalë analizat ne nuk japim dot një konkluzion. Janë diku te rreth 20 fëmijë të helmuar pavarësisht se autobusi kishte 50 pasagjerë”, deklaroi Mersini.
Mësohet se turistët kanë qenë duke vizituar me anije gjatë ditës Karaburunin dhe Sazanin, ndërsa kanë filluar të ndihen keq në orët e pasdites e më pas i janë drejtuar urgjencës.
Dyshimet janë se helmimi ka ardhur nga ushqimi që kanë konsumuar në anije ose në një nga restorantet e Karaburunit gjatë turit të sotëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



