Gazeta si – Një fluturim i kompanisë “Delta Airbus A330-900” nga Salt Lake City, SHBA për në Amsterdam, Holandë me 275 pasagjerë dhe 13 anëtarë të ekuipazhit, u godit nga turbulenca të forta.
Disa persona u plagosën, të paktën 25 prej tyre. Fluturimi u detyrua të devijonte në Aeroportin Ndërkombëtar të Minneapolis-St. Paul, ku u ul në orën 7:45 të mbrëmjes sipas orës lokale të mërkurën.
Siç raporton CNN, duke cituar të dhëna nga faqja e gjurmimit të fluturimeve Flightradar24, Fluturimi 56 i Delta Air Lines u ngjit më shumë se 1,000 metra në më pak se 30 sekonda, rreth 40 minuta pas ngritjes.
Më pas zbriti rreth 1,300 metra gjatë 30 sekondave të ardhshme. Menjëherë pas kësaj, aeroplani ndryshoi kursin e tij në veri, duke u drejtuar për në Minneapolis, ku u ul në mënyrë të sigurt rreth një orë e gjysmë më vonë, tregojnë gjithashtu të dhënat e faqes “Flightradar24”.
Pas uljes emergjente, ndihmësit mjekësorë dhe zjarrfikësit hipën në aeroplan për të ofruar ndihmën e parë. Kompania ajrore tha se 25 pasagjerë u dërguan në spitalet lokale për vlerësim dhe trajtim.
“Jemi mirënjohës për mbështetjen e të gjithë ndihmësve të parë të përfshirë”, tha një zëdhënës i Delta-s. “Siguria është vlera jonë thelbësore në Delta dhe ekipi ynë i kujdesit Delta po punon drejtpërdrejt me klientët për të mbështetur nevojat e tyre të menjëhershme”.
Lëndimet serioze të shkaktuara nga turbulencat gjatë fluturimit janë relativisht të rralla, por shkencëtarët thonë se ato mund të bëhen më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike.
Një burrë vdiq në një fluturim të “Singapore Airlines” që përjetoi turbulenca të rënda në maj 2024, viktima e parë e lidhur me turbulencat në një linjë ajrore të madhe në dekada.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




