Bota

Turbulenca në fluturimin Madrid-Montevideo, 30 të plagosur dhe ulje emergjente në Brazil (Video)

Gazeta Si - Një avion i kompanisë spanjolle “Air Europa” u detyrua të bëjë një ulje emergjente mëngjesin e 1 korrikut në Brazil, pasi u përball me turbulenca të forta që shkaktuan rreth tridhjetë të lënduar.

Avioni - një Boeing 787-9 - mbante 325 pasagjerë dhe u nis nga Madridi për në Montevideo, Uruguaj. Është incidenti e tretë e rëndësishme e këtij lloji brenda pak javësh. Përpara  kalimit në bregun brazilian, fluturimi UX45 përfundoi në turbulenca.

Të dhënat e ofruara nga platforma “Flightradar24” tregojnë një ndryshim të rëndësishëm në shpejtësinë në një lartësi prej 36 mijë këmbësh (rreth 11 mijë metra) rreth orës 6.34 të mëngjesit (koha shqiptare), por aktualisht nuk është e qartë nëse dy ngjarjet janë të lidhura.

Gjatë turbulencave disa persona, të cilët në atë moment nuk kishin vendosur rripat e sigurimit, u përplasën pas tavanit, duke dëmtuar në disa raste pjesët e brendshme të avionit.

Pilotët, të alarmuar nga stjuardesat, kërkuan ulje emergjente në Natal, Brazil, për ndihmën e parë.

Ishin 15 ambulanca që prisnin fluturimin - thonë mediat lokale - dhe nga tridhjetë të plagosurit, shtatë u shtruan në spitalet e qytetit, ndërsa të tjerët "pësuan mavijosje të vogla", tha transportuesi në një shënim.

Ky është incidenti i tretë i rëndësishëm brenda pak javësh në lartësi të madhe dhe që të tre përfshinin turbulenca të forta.

Më 20 maj, një Boeing 777-300ER i “Singapore Airlines” që u ngrit nga Londra dhe nisej për në Singapor, bëri një ulje emergjente në Bangkok, Tajlandë.

Një burrë në bord humbi jetën - me shumë gjasa për shkak të një ataku në zemër - dhe rreth njëqind njerëz u plagosën.

Më 26 maj, një Boeing 787 i “Qatar Airways” – i cili po fluturonte nga Doha në Dublin – u përplas me turbulenca të forta, ndërsa fluturonte mbi Turqi. Avioni u ul rregullisht në Irlandë me 12 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit të plagosur.

Këto ngjarje bënë që linjat ajrore të mbledhura në takimin vjetor të IATA-s të përfshinin turbulencat midis ngjarjeve që duheshin monitoruar më me kujdes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë