Muzike

Tupanat e Ansamblit Popullor, pas 3 dekadash do ridëgjohen në Kosovë: Moment historik!

Pas më shumë se 3 dekadash, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore vjen me një turne historik në qytetet e Kosovës me këngë e valle shqiptare.

Si një nga promotorët e trashëgimisë sonë ndër vite, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, me turneun artistik që do të nisë më 25 prill në Prizren dhe do ta ulë siparin në Shkup synon rizgjimin e vlerave tona folklorike.

Drejtori artistik i Ansamblit, Sokol Marsi, thotë për Gazetën “Si” se ky turne që rikthehet pas më shumë se 30 vjetësh në qytetet e Kosovës na rikthen edhe njëherë jehonën dhe suksesin e Ansamblit Kombëtar në mbarë trevat shqiptare.

Marsi shpjegon edhe arsyen se pse ky turne vjen me emrin turi historik i ansamblit.

“Tur historik, sepse jo se ansambli nuk ka shkuar në Kosovë herë të tjera, por pas 30 vitesh bëhet një organizim i tillë. Prej asaj kohe ansambli ka qenë thjesht nëpër koncerte të veçanta në Kosovë, por asnjëherë në një turne në disa qytete rresht. Pra shkon në një tur artistik që fillon nga Prizreni qytetit i Lidhjes së Prizrenit, vazhdon në qytete të tjera dhe për herë të parë në historikun e tij ansambli shkon në Luginën e Preshevës”, shprehet Marsi për Gazetën “Si”, ndërsa bën me dije dhe datat e zhvillimit të turneut nga 25 prilli në Prizren, 26 prill në Gjakovë, për të vazhduar më 27 prill në qytetin e Gjilanit, 28 prill në Luginën e Preshevës e për ta ulur siparin më 29 prill në qytetin e Shkupit.

Drejtori artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Sokol Marsi

Turneu i cili sipas drejtorit artistik organizohet në kuadër të rijetëzimit, kujtesës dhe promovimit të trashëgimisë tonë kulturore brez pas brezi, do të sjellë këngët e vallet më të bukura të traditës të të gjithë trevave tona, që do të vijnë nën interpretimin e artistëve të dy brezave për 5 ditë me radhë në 5 qytete.

“Programi artistik do të bazohet në krijimet më të bukura të muzikës së kultivuar nga të gjitha trevat shqiptare si edhe në folklorin e pasur kombëtar. Gjithashtu së bashku me trupën e Ansamblit do të performojnë edhe artistë të ftuar nga Kosova. Programi është ndërtuar në bazën e gjithëpërfshirjes të të gjitha trevave tona, duke përfshirë nga Vallja Çame deri te Vallja e Rugovës. Kryesisht do të performojë orkestra, grupi koral, solistët, artistët e rinj, por do të ketë edhe pjesë instrumentale”, vijon Marsi.

E veçanta e këtij turneu sipas drejtorit artistik është se përveçse vjen pas 30 viteve një organizim i tillë, së bashku me trupën e artistëve të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve do të performojnë për herë të parë në skenat e qyteteve të Kosovës edhe disa artistë të rinj të trajnuar pranë Ansamblit Popullor, si këngëtarë e valltarë të rinj.

“Repertori i ri dhe ai i Nexhmije Pagarushës dhe artistëve të tjerë kosovarë do të këndohet nga artistët tanë të rinj. Kjo është edhe në qëllimin e këtij aktiviteti që të kultivojë tek artistët, por edhe te publiku i ri kosovar, të cilët mund ta ndjekin ansamblin për herë të parë, vlerat më të mira artistike kulturore dhe kombëtare, thesaret shpirtërore të kombit tonë. Jehona e këtij aktiviteti do të përcillet nga qyteti në qytet, duke krijuar një atmosferë festive kudo ku artistët tanë do të performojnë”, thotë ndër të tjera drejtori artistik i Ansamblit për Gazetën “Si”.

Ky tur realizohet në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor me Republikën e Kosovës, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Ministrinë e Kulturës së Republikës së Kosovës, Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.

Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist. Ky Ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë