Italia i kërkon Komisionit Europian që të konsiderojë rivendosjen e taksave dhe tarifave për importin e vajit të ullirit, ose lëndës së parë për prodhimin e tij nga vendet e treta. Kërkesa është argumentuar me nevojën e mbrojtjes së prodhimit vendas.
Kërkesa është dorëzuar nga eurodeputetët Ignazio Corrao, Eleonora Evi dhe Piernicola Pedicini, që ngrenë shqetësimin se mbytjes së tregut nga prodhimi tunizian. Tunizia është prodhuesi i dytë më i madh në botë i vajit të ullirit, pas Spanjës.
Italianët ngrenë shqetësimin se vaji i ullirit tunizian mbërrin me çmime më të ulta në tregjet e Bashkimit Europian për shkak të kostos më të ulët të prodhimit, si krahu i punës, por edhe klima më favorizues, për shkak se ulliri në vendin afrikan piqet më shpejt dhe i paraprin tregut.
Për këtë arsye, tre eurodeputetët kërkojnë që të shikohet mundësia e vendosjes së barrierave mbrojtëse për prodhuesit europianë të vajit të ullirit. Një prej tyre është rishikimi i një marrëveshje të nënshkruar me Tunizinë për tregtinë, ku të rivendosen tarifat dhe taksat për importin e ullirit dhe vajit të tij.
Një tjetër zgjidhje që propozohet është edhe ajo e vendosjes së një takse dhe tarife të përgjithshme për të gjitha vendet e treta për këtë produkt. Një vendim i tillë do të prekte edhe eksportet shqiptare në drejtim të BE-së, megjithëse eksporti i këtij produkti është në fazat fillestare dhe në nivele minimale.
Në 2018, Britania e Madhe ishte i vetmi vend i Bashkimit Europian ku Shqipëria eksportonte vaj ulliri. Tregjet kryesore ku eksportohet prodhimi shqiptar i tij janë Kosova, Maqedonia e Veriut, SHBA, Arabia Saudite dhe Zvicra.
Aktualisht, eksportuesi kryesor i vajit të ullirit në Bashkimin Europian është Tunizia. Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Europian, deri në tetor vendet e BE kanë importuar rreth 240 mijë tonë vaj ulliri, ku 90 për qind e tij është prodhim tunizian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



