Nga Gazeta Si- “Nëna ime u sëmur këtë dimër si rrallë herë më parë. Në moshën 71-vjeç asaj i erdhi cikli menstrual, në fillim pak e më pas hemorragjia nisi ti shtohej. U shqetësuam shumë dhe e sollëm në Tiranë, në QSUT. Pas diagnostikimit, rezultoi kancer në mitër”.
Kështu tregon për Gazetasi.al, Rudina nga Lushnja e cila në fillim thotë se u tremb pasi mendoi se nëna nuk do t’ia dilte.
Por mjekët i thanë se tumori ishte kapur në stadin e parë.
“Tumori në mitër tek gratë mbi 50 vjeç, quhet sëmundja e menopauzës. Rreziku qëndron në faktin se shumë gra pasi kalojnë në këtë stad shtojnë peshë duke rrezikuar të preken nga tumoret. Ne këshillojmë kujdes të veçantë gjatë menopauzës pasi shtohen rrisqet në shëndet”, thotë për Gazetasi.al, mjekja onkologe Silvana Çeliku.
Për Olimbinë, 71 vjeç nga Lushnja, kjo gjendje në fillim ishte e çuditshme, dhimbje barku si dikur e re, të cilat filluan të shtohen edhe më shumë.
Pas disa vizitave në spitalin Onkologjik, mjekët i thanë se duhet të operohej që të hiqte masën tumorale e më pas të bënte rreze për të bombarduar pjesë të prekura nga tumori në muskujt e mitrës me qëllim parandalimin e përhapjes së tij dhe në organe të tjera.
Por çfarë është kanceri endometrial, sëmundja që prek endometrin, mukozën e mitrës.
Onkologia Silvana Çeliku thotë se ky është tumori më i shpeshtë i mitrës. Sipas saj, incidenca e tij rritet me rritjen e moshës.
“Kanceri endometrial është kanceri më i zakonshëm tek gratë dhe zhvillohet në mukozën e mitrës (endometrium). Ky lloj kanceri më së shpeshti zhvillohet te femrat në të 50-tat e tyre. Për fat të mirë, ndryshimet zbulohen relativisht shpejt dhe trajtimi i zbatuar është aq efektiv sa rreziku i vdekjes zvogëlohet ndjeshëm”, thotë Çeliku, duke sqaruar më tej se kanceri endometrial zakonisht shfaqet pas menopauzës dhe vetëm rreth në 25 për qind, rastet ndodhin para menopauzës.
Mungesa e fëmijëve, diabeti dhe ciklet anovuluese rrisin rrezikun e sëmundjes.
Ndërsa faktorët kryesorë të rrezikut janë obeziteti, diabeti, mosha mbi 50 vjeç, disbalanca hormonale dhe menstruacionet e para në moshë shumë të re ose menopauzë e vonë.
Faktorë të tjerë rreziku përfshijnë historinë familjare të kancerit të gjirit, vezoreve dhe kolorektalit dhe hipertensionit (një sëmundje e lidhur me obezitetin).
Llojet e kancerit endometrial
Janë dalluar dy lloje të kancerit endometrial, të cilët ndryshojnë në moshë, agresivitet dhe shkaqe molekulare.
I pari është kanceri i tipit I – kanceri më i zakonshëm, veçanërisht në periudhën e menopauzës. Ndodh për shkak të hiperplazisë endometriale të stimuluar nga estrogjeni dhe prognoza është e mirë.
Ndërsa kanceri i tipit II është një lloj më i rrallë i kancerit endometrial. Ndryshe nga tipi I, zhvillimi i tij nuk ka të bëjë me stimulimin hormonal. Është një kancer serioz që fatkeqësisht ka një prognozë më të keqe.
Para shfaqjes së kancerit, simptomat më të zakonshmet janë menstruacione të çrregullta, çrregullime të fertilitetit dhe vonesa në menopauzë.
Kanceri endometrial zakonisht shfaqet te femrat me hipertension, obezitet, diabet dhe çrregullime të ovulacionit. Vlen gjithashtu të theksohet se kohët e fundit gjithnjë e më shumë theksi në parandalimin e kancerit endometrial i është kushtuar informimit të historisë familjare.
Simptomat kryesore të kancerit endometrium janë:
-gjakderdhje shqetësuese, masive e mitrës tek gratë me menstruacione,
-shfaqja e gjakderdhjes (shpesh pas një periudhe të gjatë) pas ndërprerjes së menstruacioneve,
-shfaqja e shkarkimit të bollshëm me gjak (formë të avancuar të kancerit),
-dhimbje në pjesën e poshtme të barkut,
-dhimbje në zonën sakrale,
një ndjenjë ngopjeje në legen (formë e avancuar e kancerit).
Kanceri endometrial ndonjëherë mund të shoqërohet me inflamacion dhe simptoma të kancerit në vezore.
Diagnostikimi arrihet fillimisht përmes ekografisë transvaginale e më pas me anë të rezonancës magnetike të legenit (pelvis). Trajtimi më i shpeshtë në rastin e kancerit endometrial është kirurgjikal dhe konsiston në heqjen e mitrës (histerektomi), vezoreve dhe tubave fallopiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



