Futboll

Tulipanët humbën Beenhakker, spanjollët ‘Don Leon’

Ish trainer i Real Madrid, Ajax dhe Holandës, Leo Beenhakker, u nda nga jeta në moshën 82 vjeçare. Holandezi e drejtoi për të parën herë Ajax mes viteve 1978 dhe 1981 duke fituar titullin në “Eredivisie”, të cilin e përsëriti kur u kthye në Amsterdam në 1990. Beenhakker drejtoi Real Madrid në 3 tituj rradhazi në Spanjë në periudhën 1986-1989 dhe u kthye Bernabéu në vitin 1992 duke fituar epitetin “Don Leo” për kohën e qëndrimit në Spanjë. Beenhakker drejtoi Kombëtaren e tulipanëve në vitet 1986 – 1990.

Traineri i lindur në Rotterdam ishte në krye të Holandës në “1990 World Cup” në Itali ku u eleminua nga Republika Federale Gjermane në një ndeshje që do të mbahet mend gjatë për incidentin Rijkaard-Voeller. Holandezi i kudogjendur, punoi me Grasshoppers në Zvicër, Club América në Meksikë, Istanbulspor në Turqi dhe Real Zaragoza-n në Spanjë, pa harruar një periudhë të shkurtës në Arabinë Saudite. Karriera e tij startoi në vitin 1965 dhe gjatë saj ai mbuloi më shumë se 30 role.

Beenhakker drejtoi Feyenoord, në titujt e fituar në “Eredivisie” në vitet 1999 dhe 2000. Më pas ai dërgoi për të parën herë Trinidad & Tobago në një Kupë Bote në vitin 2006. Detyra e fundit në stol për Beenhakker ishte në krye të Polonisë të cilën e kualifikoi në evropianin e parë në vitin 2008. Përpara se të dilte në pension ai bëri Drejtorin Teknik te Ujpest në Hungari, Drejtorin e Futbollit në Kombëtaren e Trinidad & Tobago Deri në vitin 2018 ai ishte Drejtor dhe këshilltar për Sparta Rotterdam në qytetin e lindjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë