Kosova

Tubimi i Vuçiç / Rreth 200 autobusë nisen drejt Beogradit. Dy grupe serbësh nga Kosova shkuan në këmbë

Dy grupe serbësh nga Kosova, të cilët javën e kaluar u nisën nga Leposaviqi, për të marrë pjesë në protestën e sotme(26 maj)e thirrur nga presidenti serb Aleksander Vuçiç, kanë mbërritur mbrëmë në Beograd.

Presidenti serb i mirëpriti me një mesazh se “do të përpiqet aq sa mundet t’i ndihmojë” që ata “të mos heqin dorë kurrë nga ruajtja e vatrave të tyre”.

Serbët e Kosovës, nga ana tjetër, i dhuruan dhurata me mesazhin se “përkrahin atë që po bën për serbët e Kosovës”, dhe se vetëm tek ai kanë besim se ai “do të luftojë për të shpëtuar Kosovën e tyre!”

Serbët e Kosovës u nisën për në Beograd më 17 maj.

Të gjithë me bluza të bardha, e disa me mbishkrimin “Për Serbinë, Për Vuçiçin, serbët nga Kosova dhe Metohia”, qëndruan pas presidentit serb i cili foli para mediave.

Ai tha se ndihej krenar që ka mundësinë t’i falënderojë për mbështetjen e tyre, “jo për të, por për Serbinë”.

Ndërsa sot gjithashtu rreth 200 autobusë me serbë të Kosovës janë nisur nga Mitrovica e Veriut, Graçanica, Leposaviqi, Zubin Potoku, Shtërpc për në Beograd.

Ata gjithashtu do të marrin pjesë në kundërprotestën e organizuar nga ai ndaj protestave të dhjetëra mijëra qytetarëve që po protestojnë ditë me radhë për dorëheqjen e tij në Serbi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë