Shendet

Tuberkulozi në Shqipëri po prek më shumë të rinjtë

Kequshqyerja, kushtet e këqija të jetesës dhe imuniteti i dobët janë shkaqet kryesore për sëmundjen e tuberkulozit. Kjo sëmundje shkaktohet nga mikrobi “Mycobacterium tuberculosis” dhe kryesisht prek mushkëritë. Të dhënat tregojnë se në vendin tonë në tërësi rezultojnë 500 të prekur nga kjo sëmundje, të cilët vazhdojnë të kurohen.
Tuberkulozi prek kryesisht të rriturit në periudhën më produktive të jetës. Megjithatë, të gjitha grupmoshat janë të rrezikuara. Drejtoresha e Dispanserisë në Tiranë Entela Nako, tha për Gazetën “Si” se vitet e fundit kjo sëmundje po zhvillohet më shumë tek moshat e reja.

“Ne kemi rreth 100 raste të tuberkulozit që i trajtojmë çdo vit, por nga viti në vit shikojmë se ka një tendencë rritjeje të këtij numri, për shkak të migracioneve të shumta të popullsisë. Përgjithësisht të infektuarit janë nga zonat veriore, pasi kanë ndikuar shumë kushtet e klimës duke bërë që mikrobi të kalojë në fazë latente, që mund të qëndrojë për disa vite në trupin e njeriut,” shprehet Nako.
Tuberkulozi është një sëmundje që trajtohet dhe që shërohet. Në format aktive të saj kjo sëmundje kurohet për një periudhe 6-mujore me një kombinim të 4 medikamenteve antimikrokobiale të cilat jepen nën udhëzimin, mbikëqyrjen dhe mbështetjen e mjekut apo të personelit shëndetësor.
Sipas pneumologes Nako, të infektuarit që paraqiten pranë Sanatoriumit “Shefqet Ndroqi” dhe Dispanserisë janë kryesisht nga komunitetet rome në lagjen 10, të cilët kontrollohen vazhdimisht nga një infermier i qendrës së Dispanserisë dhe zona e Kamzës.

Entela Nako

Ndër të tjera pneumologia na shpjegon se tuberkulozi është në dy gjendje, pozitiv (infektues për të tjerët) dhe negativ. Sipas saj, simptomat më të shpeshta të tuberkulozit janë kollë dhe pështymë me gjak, dhimbje kraharori, dobësi, humbje në peshë, temperaturë dhe djersitje natën.
Mënyrat për të diagnostikuar sëmundjen janë me anë të radiografisë dhe përdorimi i testit të tuberkulozit, i cili jo vetëm që përcakton gjendjen sëmundjen, por edhe rezistencën ndaj medikamentit kryesor të tuberkulozit siç, është rafampicina.
Të dhënat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë treguar se sot më shumë se 100 vende në botë e përdorin këtë test, në mënyrë që të kenë një përcaktim të saktë të gjendjes së pacientit.
Pneumogoia Nako shprehet se nuk ka asnjë pengesë për të trajtuar tuberkulozin. Sipas saj edhe pse rastet po shtohen, medikamentet dhe mundësitë e trajtimit kanë bërë të mundur kurimin e plotë të kësaj sëmundje.
“Në politikat që po ndërmerr ministria kohët e fundit, po synohet që sëmundja të ndiqet edhe nga mjeku i familjes, në mënyrë që pacienti të ketë një kontakt më të afërt me trajtimin. Kanë filluar trajnimet për mjekët e familjes, por duhet kohë që i ky proces të përfundojë, pasi po përfshihen mjekë nga gjithë Shqipëria,” shprehet Nako.
Gjithashtu, Nako shprehet se mënyrat e vetme për të parandaluar këtë sëmundje janë kushtet jetesës, të cilat duhet të jenë cilësore, banesa pa lagështi dhe me sistem ngrohjeje, si dhe ushqyerja e shëndetshme. Sipas saj, secili duhet t’i kushtojë rëndësi mbrojtjes personale, në mënyrë që të pakësohen rastet nga kjo sëmundje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë