Analize

Truproja (i dashuri) që futi në telashe Presidentin Macron

Problemet e brendshme të Francës, kriza e emigrantëve dhe reformimi i Bashkimit Europian kanë dalë papritur në faqen e dytë të agjendës së Presidentit francez, Emmanuel Macron, për t’ia lënë vendin një skandali që po bën me “dhimbje koke” zyrtarët e Elysese. Asnjë nga kritikat, protestat apo skandalet më të cilat është përballur Macron që nga fitorja e tij në zgjedhjet e vitit të kaluar, nuk ka tërhequr aq shumë vëmendjen e publikut sa deklarata “Nuk kam pasur marrëdhënie seksuale me të”. Presidenti francez përdori pikërisht këtë frazë, për t’u mohuar deputetëve të tij çdo lidhje me Alexandre Benalla, një fëmijë emigrantësh marokenë, që deri të premten e kaluar, ishte truproja e tij personale.

 Alexandre Benalla nuk i ka pasur kurrë kodet bërthamore!- deklaroi ai duke u munduar të ishte sa më i prerë- Benalla nuk ka qenë kurrë i dashuri im!”

Komenti i jashtëzakonshëm i Macron, në përgjigje të thashethemeve në internet, duket se ishte një lapsus edhe më i madh politik, i cili dështoi të shpjegonte marrëdhënien së tij të ngushtë me 26-vjeçarin misterioz. Skandali, i cili ka pushtuar tanimë Francën, u shkaktua nga video që tregon Benallan të veshur si oficer policie (të cilën nuk ka të drejtë të mbajë pasi nuk është polic) duke sulmuar një djalë dhe një vajzë  në rrugët e Parisit. Videoja u filmua gjatë protestave të Ditës së Majit gati tre muaj më parë. Por, pavarësisht se u raportua menjëherë në zyrën e presidentit, incidenti u hodh poshtë shpejt, në kundërshtim me ligjin francez.  Sipas raporteve, pamjet e incidentit u censuruan në rrethana të dyshimta dhe nuk u lejuan të transmetoheshin në media, ndërkohë që Benalla vazhdoi të qëndronte i punësuar në rrethin e brendshëm të Presidentit francez.

Alexandre Benalla dhe Presidenti francez Emmanuel Macron

Por videoja ia doli të shfaqej në sërish, pasi ishte e regjistruar nga një qytetar në telefonin e tij celular. Benalla u shkarkua tetë ditë pas ripublikimit të videos, ndërkohë që mbështetja për Macron ra në në 39 përqind, pothuajse sa gjysma e nivelit të mbështetjes gjatë majit të kaluar, kur sapo ishte zgjedhur president. Shumë nga kundërshtarët e tij po përdorin përpjekjen për të censuruar pamjet për të ushqyer më tej imazhin e Macron-it si një 'Presidenti i zgjedhur nga të pasurit'. Ndërkaq, shumë qytetarë iu drejtuan mediave sociale për të diskutuar natyrën e marrëdhënieve të Presidentit 40-vjeçar me të riun. Edhe pse praktikisht i panjohur për publikun, doli se Benalla gjatë kishte qenë një figurë kyçe në jetën publike dhe private të Presidentit Macron dhe gruas së tij, gjatë 18 muajve të fundit.

Kush është Alexandre Benalla?

Ndërkohë biografia e truprojës së presidentit është edhe më e pazakontë. Ai u rrit në periferi të Evreux në Normandi dhe u bë një aktivist i Partisë Socialiste kur ishte adoleshent, kur duket se u miqësua edhe me drejtorin e tanishëm të sigurisë, Eric Plumer, i cili e ndihmoi të punonte me zyrtarët e lartë të partisë, përfshirë edhe ish-presidentin Francois Hollande.

Alexandre Benalla, Presidenti francez Emmanuel Macron dhe gruaja e tij, Brigitte

Rreth kësaj kohe, Benalla duket u takua për herë të parë me Macron. Ai punoi për Partinë Socialiste për disa vjet, por u pushua nga puna në vitin 2012, pasi u arratis nga skena e një aksidenti, ku ishte duke i dhënë makinës së ministrit të atëhershëm të industrisë, Arnaud Montebourg. Benalla kaloi disa vjet duke punuar si truprojë në Marok. Por kur Macron, një ish-bankier që vendosi t’i futej politikës, vendosi të krijonte një parti të re politike dhe kandidoi për president në vitin 2017, Benalla u kthye me shpejtësi në Paris për ta ndihmuar.

Dyshja duket se u bë e pandashme. Ata shëtitën, pedaluan me biçikleta  dhe ndoqën ndeshjet e tenisit së bashku. Pas fitores zgjedhore se Macron, Benallas iu dhanë edhe disa përfitime, duke përfshirë një rrogë prej 100,000 eurosh dhe një apartament në Francë. Fotografitë e fushatës presidenciale të vitit të kaluar treguan se Benalla ishte gjithnjë prezent në takimet e Macron. Sipas medieve franceze, ai u akuzua gjithashtu për largimin e gazetarëve që bënin pyetje të pakëndshme gjatë tubimeve të fushatës, veçanërisht ata që pyetën për martesën e Macron me Brigitte Auziere, mësuesen 25 vjet më të madhe, me të cilën Macron u dashurua kur ishte 15 vjeç. Marrëdhënia e tyre ka tërhoqur edhe më shumë komente falë thashethemeve që paparacët zotëronin foto kompromentuese të Macron me Mathieu Gallet, gazetarin 41-vjeçar të “Radio France”, në një pyll. Përfundimisht, Macron mohoi të ishte homoseksual ose të ishte në një lidhje me në mashkull, duke dhënë një intervistë intriguese në të cilën deklaroi se ishte e mundur që një njeri të jetonte me një grua më të vjetër pa qenë homoseksual.

“Po të isha homoseksual, do ta thosha dhe do ta jetoja hapur.”

Pasi tema delikate u hodh pas krahëve, popullariteti Macron u rrit sërish. Më vonë dokumentet e botuara nga faqja e internetit Wikileaks zbuluan se Benalla kishte tentuar gjatë fushatës presidenciale të pajiste ekipin e tij me armë ushtarake, duke përfshirë edhe mburojat anti-plumb dhe granatat. Pavarësisht se kërkesa u refuzua dy herë nga zyrtarët, nën arsyetimin se ishte e 'rrezikshme', Benallas iu dha një pistoletë Glock dhe 2,000 plumba. Pasi u bë një anëtar kyç i ekipit presidencial të Macron, erdhi ngjarja që është vendosur në krye të agjendës së kësaj jave: prania e tij në demonstratat e majit, në të cilën mijëra studentë u bashkuan me protesta kundër reformave ekonomike të Macron, të cilat kanë për qëllim ndryshimin e ligjeve të punës.

https://www.youtube.com/watch?time_continue=38&v=J22m3Y2xd9I

Çfarë ndodhi gjatë protestës?

Benalla pretendon se është ftuar të marrë pjesë si 'vëzhgues', megjithëse policia pretendon se nuk është dhënë asnjë autorizim. Ai u shfaq me një uniformë policore, radio dhe një mburojë. Sapo filluan përplasjet në protestën e asaj pasditeje, ai u hodh në veprim, duke qëlluar me grusht një protestues mashkull dhe duke kapur krahu një vajzë të re, ndërkohë që policët shihnin.

Incidenti u raportua menjëherë në zyrën e Macron. Por për arsye që tani janë objekt i dy hetimeve parlamentare, është marrë vendim që Benalla të lihet pa pagesë për 15 ditë, por të qëndronte në krah të Presidentit.

Kjo duket se ka qenë në kundërshtim me ligjin francez, pasi sipas klauzolës 40 të kodit penal francez, Macron duhet ta kishte informuar gjyqësorin, në momentin kur u vu në dijeni, të këtij sulmi të supozuar ndaj protestuesve. Për pak kohë, mbulimi duket se qe i suksesshëm. Por të mërkurën e kaluar, gazeta “Le Monde” publikoi pamjet e marra nga një qytetar, që kishte filmuar ngjarjen nëpërmjet celularit. Ai u arrestua dhe u akuzua për dhunë kundër civilëve, si dhe për faktin se u hoq si oficer policie. Shtëpia dhe zyra e tij u bastisën, ndërkohë që vendimi për ta shkarkuar u mor 48 orë më vonë. Tre oficerë policie akuzohen se kanë fshehur pamjet zyrtare për të parandaluar përdorimin e saj si dëshmi. Në përgjigje të kësaj debati, Macron ndërkohë pranoi se ndihmësi i tij kishte bërë një “gabim të madh”,por duke përdorur të njëtjën retorike si homologu amerikan, Donald Trump, tentoi të fajësonte mediet duke deklaruar se Franca ka një shtyp që nuk kërkon më të vërtetën. Deklaratat u kritikuan ashpër jo vetëm nga kundërshtarët politikë, por edhe nga grupet kundër korrupsionit.  “Human Rights Ëatch i quajti “retorika të rrezikshme”, në një kohë kur gazetarët në mbarë botën janë nën sulm nga udhëheqësit populistë dhe autokratë.

Alexandre Benalla dhe Presidenti francez Emmanuel Macron

Duke shkruar në “Le Monde”, opinionisti Françoise Fressoz thotë se suksesi i opozitës në përdorimin e këtij skandali, është "fitorja e tyre e parë" që nga fillimi i presidencës së Macron. “ Ata janë duke u hakmarrë për guximin e tij të paepur për të besuar se asgjë dhe askush nuk mund t’i rezistojë dhe se është mjaftueshëm i fuqishëm për të reformuar çdo gjë që dëshiron (ligjet e punës, hekurudhën, , pensionet, shëndetin, etj) duke injoruar kritikat e tyre apo edhe këshillat e tyre ", shkruan Fressoz.  Por a është çështja "Benalla" Watergate – i e Macron? Ndoshta jo, por duhet patur parasysh se edhe vetë skandali i Watergate mori një jetë dhe rrëzoi Richard Nixon, shumë kohë pas zbulesave fillestare. Tani për tani mund të jemi të sigurt është se si mediat dhe hetuesit francezë do të vazhdojnë të gërmojnë për çështjen Benalla, pasi Macron ka shumë armiq që janë të gatshëm të shfrytëzojë gjithçka që mund të gjejnë.

Burimet: "Le Monde", "Reuters", "Daily Mail", 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë