Shkencë

‘Trupi prej xhami’. Çfarë është hipokondria

Ndërsa po hanim mëngjes javën e shkuar, pashë një gjendër në qafën e djalit tim. Pas disa minutash kërkim në Google, binda veten se ai kishte një sëmundje serioze të padiagnostifikuar – dhe sa më shumë e shikoja, më shumë frikësohesha.

Mos ishte një venë e ndrydhur për të cilën duhej ndërhyrje kirurgjikale? Mos ishte shenjë e limfomës, me të cilën vdiq babai im? Pas disa vizitash tek pediatri, u ktheva në shtëpi e turpëruar, por e lehtësuar; ishte vetëm një venë e zgjeruar nga qarkullimi i gjakut.

Përvoja ime nuk ishte unike. Ne jetojmë në një epokë ku mbizotërojnë shqetësimet e shëndetit. Aksesi i lehtë në rrjet ka nxitur edhe më shumë shqetësimet që lidhen me shëndetin.

Sistemi ynë mjekësor përmban teknologji gjithnjë e më të fuqishme dhe teste parandaluese – skanime që shikojnë se çfarë ka brenda nesh, duke premtuar se do të na ndihmojnë në zgjatjen e jetës; testet e gjakut që zbulojnë inflamacionet shkatërrueset; ekzaminimet gjenetike që vlerësojnë shanset tona për të zhvilluar sëmundje. Vigjilenca intensive për shëndetin tonë është bërë normë, njëkohësisht shqetësuese dhe qetësuese. Shumë prej nesh kanë përjetuar periudha shqetësimi para ose pas një mamografie ose kolonoskopie, ose periudha paniku si unë për qafën e djalit tim. Për disa, këto bëhen konsumuese dhe destabilizuese. Sot, të paktën 4% e amerikanëve dihet se janë të prekur nga ajo që tani etiketohet "ankthi shëndetësor" dhe disa vlerësime sugjerojnë se prevalenca është më shumë se 12%.

Por, ky ankth, që njihet si “hipokondri”, zyrtarisht nuk ekziston më. Në vitin 2013, ajo që njihet si “Bibla e çrregullimeve psikiatrike”, e hoqi nga lista e diagnozave hipokondrinë.

Ndryshimi erdhi pas një nevoje të vonuar për të rikonceptuar një diagnozë që njerëzit e konsideronin stigmatizuese sepse nënkuptonte se hipokondrikët janë keqbërës neurotikë, simptomat e të cilëve nuk janë "reale". Studiuesit prezantuan dy diagnoza të reja të dallueshme, çrregullimin e ankthit të sëmundjes dhe çrregullimin e simptomave somatike, që të dyja synojnë të jenë përshkrime klinike neutrale të njerëzve me "shqetësime të shumta për shëndetin". Ajo që i dallon është prania ose mungesa e simptomave fizike që shoqërojnë ato frikë.

Por përpjekjet për të përcaktuar spektrin e ankthit shëndetësor, megjithatë, nuk arrijnë të sqarojnë natyrën e turbullt të hipokondrisë. Termat në dukje të dobishme janë në të vërtetë çdo gjë përveç kësaj. Megjithëse dimë më shumë se kurrë më parë për sëmundjet dhe sëmundjet mendore që na mundojnë, misteret më të turpshme të trupit mbeten.

Mjekët dhe pacientët duhet t'i trajtojnë së bashku. Mënyra e vetme për ta bërë këtë është duke lënë mënjanë çdo impuls për të moralizuar dhe duke përqafuar pasigurinë – gjëja që mjekësia moderne është më pak e pajisur për të bërë. Humnera midis përvojës subjektive të simptomave të pacientëve dhe dëshirës së mjekësisë për objektivitet është e vështirë të kapërcehet, siç vëren studiuesja Catherine Belling në "A Condition of Doubt". Kjo është hapësira ku ende jeton hipokondria.

Një libër i fundit i Caroline Crampton tregon historinë e hipokondrisë, "Një trup prej xhami".

Hipokondria, siç thekson Crampton, nuk është thjesht një term i zakonshëm për një shqetësim mbi një sëmundje që nuk është aty. Është një diagnozë që ekziston për qindra vjet. Simptomat dhe kuptimet përcjellëse kanë ndryshuar vazhdimisht, gjithmonë në hap me ndryshimin e koncepteve të mirëqenies dhe sëmundjes. Në këtë kuptim, historia e hipokondrisë pasqyron një teori konstante: idetë e secilës epokë ndjekin kuptimin e kufizuar të shëndetit dhe demonstrojnë një dëshirë për qartësi rreth trupit dhe sëmundjes që përsëri dhe përsëri rezulton e pakapshme.

Njohja e kësaj nuk e ndalon Crampton të ëndërrojë për një "test përfundimtar për gjithçka, përfshirë vetë ankthin shëndetësor".

Hipokrati, që njihet si babai i mjekësisë, përdorte termin hipokondrium në shekullin e pestë p.e.s për të identifikuar një lokacion fizik, zonën mbi brinjët ku qëndron shpretka. Medikamentet hipokratike kishin në thelb balancën e katër treguesve - gjakun, humorin, stomakun dhe pështymën - që ndikonin dhe mendjen dhe trupin. Një rritje e mërzisë p.sh krijonte probleme në stomak. Termi "hipokondri" u përdor gjatë periudhës së Rilindjes dhe asociohej me konvergjencën midis dy procesve të pa lidhura me njëra-tjetrën: sistemin tretës dhe çrregullimet emocionale, thekson Crampton.

Në shekullin e 17-të, nocioni i hipokondrisë si një gjendje fizike që kishte edhe simptoma mendore, u vendos. Në Anatominë e Melankolisë, shkruar në 1621-shin, shkrimtari anglez Robert Burton e përshkroi atë si një nëngrup të melankolisë, duke vënë në dukje një "fryrje të shpretkës" të shoqëruar nga "rrëqethje të forta" dhe "gërryerje në zorrë", së bashku me ndjenjën "e frikës, trishtimit, dyshimit" - një sëmundje që, siç tha ai, " kryqëzon trupin dhe mendjen.”

Mjekët në shekullin e 18-të filluan të hetojnë hipokondrinë si një çrregullim i sistemit nervor të zbuluar së fundmi, duke llogaritur simptomat jo vetëm në zorrë, por edhe në pjesë të tjera të trupit. Sipas kësaj pikëpamjeje, shkaku nuk ishte humori i çekuilibruar, por lodhja dhe dobësia e vetë nervave.

Crampton tregon në librin e saj historinë e Charles Darëin, që ilustron tranzicionin midis periudhës kur hipokondria ishte ende një sëmundje fizike dhe asaj kur u bë sëmundje psikologjike. Darwin, i lindur në 1809-n, vuante nga dhimbjet kronike të kokës, trazira dhe dhimbje stomaku, por edhe dobësi e ankth, që ai i përshkruan në "Ditarin e Shëndet". Crampton thotë se dieta strike që mbante Darwin dhe rutina e ashpër e punës interpretohej si një shqetësim i panevojshëm. Kjo vijë e padukshme midis vetë-sabotimit intensive dhe çrregullimit mendor u kthye në sfidë për mjekët e pacientët.

Një zhvendosje e fortë ndodhi në shekullin e 19-të, që fatmirësisht formësoi psikologjinë modern që bazohet në idenë, siç e thotë Crampton "mendja kontrollin trupin dhe jo e anasjella". Frymëzuar nga neurologu George Beard në vitin 1880, që e quante hipokondrinë "iluzion", kjo u listua si sëmundje mendore: një gjendje psikologjike e shqetësimeve të pabaza lidhur me shëndetin.

Në shekullin e 20-të, hipokondriaku prototip u bë një lloj neurotiku që del edhe nëpër filma dhe vazhdimisht mendon se është sëurë, kur nuk është, (kujto personazhin e Woody Allen në "Hannah dhe motrat e saj).
Frojdi thotë se simptomat e pashpjegueshme të trupit, mund të reagime ndaj konflikteve të brendshme - që do të thotë se kjo gjendje mund të jetë tërësisht psikologjike.

Ideja që stresi ose ankthi mund të shfaqeshin si shqetësime trupore, në një proces që u quajt "somatizim", u përhap. Kështu bëri edhe kapaciteti i ri i mjekësisë së shekullit të 20-të për të testuar dhe përjashtuar kushte specifike. Konsideroni personazhin e Allen në atë film, i shqetësuar për një tumor në tru, vetëm për t'i qetësuar shqetësimet e tij nga një skanim i trurit. Ky ankth i sapo psikologjizuar, i krahasuar me gjetjet objektive të shkencës mjekësore, ndihmoi në ngurtësimin e imazhit modern të hipokondrikut si një figurë komike, e karikaturuar lehtësisht si një neurotik, i cili mund dhe duhet të "shkëputej prej tij".

Ndryshe nga disa forma të ankthit, shqetësimi për shëndetin është një problem që nuk e zhduk as lloji i emërtimit e as trajtimet. Hipokondria, thekson shkrimtari Brian Dillon na mashtron të gjithëve, sepse "jeta, ose vdekja, do të qeshë e fundit". Por ndërkohë ne dyshojmë, presim, përfshihemi dhe presim diagnozën: A është dhimbja e kokës momentale apo ndonjë sëmundje? Trupi jonë është subjekt i ndryshimeve, por ne duhet t'i kushtojmë vëmendje ndryshimeve për të parandaluar problemet, pa u përpirë nga stresi i vëmendjes së tepërt.

Në retrospektivë, Crampton, si një studente gjimnazi në Angli nuk vuante nga ankthi kur në qafën e saj pa një gjendër sa një top tenisi, që rezultoi të ishte limfomë, një lloja kancer gjaku. Kimioterapia dhe rrezatimi e shëruan atë, por përvoja e bëri më vigjilente për trupin e saj duke shtuar ankthin nëse i kishte shpëtuar ndonjë gjë. Por Crampton vuan nga ajo që tashmë njihet si çrregullim i ankthit të sëmundjes, një shqetësim i madh mbi shëndetin, kur nuk ka simptoma fizike.

"Hipokondria ka vetëm pyetje dhe asnjëherë përgjigje, dhe kjo neve na mundon", shkruan Crampton. Eksperienca e saj është e vlefshme, por nuk është realiteti i miliona pacientëve, simptomat e të cilëve nuk merren seriozisht dhe më pas diagnostifikohen me sëmundje të rënda.

Një ditë mund të kemi një test përcaktues ose përcaktues më të mirë, por tani duhet të kuptojmë që është një gjendje që e ka diagnostifikuar më mirë letërsia e sa mjekësia. Siç shkruante John Donne, i sëmurë me atë që më vonë u njoh si ethet e tifos;"Gjendje e mjerueshme e njeriut! Një minutë isha mirë dhe po atë minutë, u sëmura."

Burimi:The Atlantic/Përshtati:Gazeta 'SI'


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë