Bota

Trupi i gazetares ukrainase Viktoriia Roshchyna, u kthye nga rusët pa organe dhe me shenja torture

Gazeta Si – Trupi i dekompozuar dhe i panjohur që iu kthye autoriteteve ukrainase me formulimin e thjeshtë “trupi 757, mashkull i paidentifikuar” i përket, sipas hetuesve, Viktoriia Roshchyna, një gazetare e pavarur ukrainase e cila u zhduk në gusht 2023 në territoret e pushtuara nga Rusia.

Lajmi u raportua nga gazeta “Ukrainska Pravda”, me të cilën Roshchyna bashkëpunoi dhe u konfirmua nga një hetim i gjatë i kryer nga Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës.

Sipas raporteve, Viktoriia u kap duke punuar në një investigim dhe u mbajt rob për muaj të tërë. Vetëm në maj 2024, Rusia pranoi për herë të parë se e kishte arrestuar. Disa muaj më vonë, më 10 tetor, Ukraina konfirmoi vdekjen e saj në paraburgim rus.

Më 14 shkurt 2025, gjatë një shkëmbimi trupash, eshtrat e saj u kthyen në gjendje të avancuar dekompozimi dhe pa identifikim.

Por ekspertiza mjeko-ligjore ukrainase bëri të qartë se bëhej fjalë për një grua. Testimi i ADN-së konfirmoi identitetin me 99% siguri: ishte Viktoriia. Në trup u gjetën shenja të qarta torture: gërvishtje, mavijosje, brinjë të thyera dhe indikacione në përputhje me përdorimin e goditjeve elektrike.

“Plagët u shkaktuan kur ajo ishte ende gjallë”, – tha Yurii Bielousov, kreu i Departamentit të Luftës në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Hipoteza është se Viktoriia i është nënshtruar dhunës sistematike gjatë robërisë së saj. Akoma më shqetësues ishte zbulimi i bërë gjatë ekzaminimit pas vdekjes: mungonin disa organe të brendshme, duke përfshirë trurin, bebet e syrit dhe një pjesë të trakesë.

Një mjek ligjor ndërkombëtar, i konsultuar nga “Ukrainska Pravda”, spekuloi se heqja e këtyre organeve mund të ketë qenë e qëllimshme, për të fshehur prova të qarta të mbytjes.

Projekti “Viktoriia”, i promovuar nga “Forbidden Stories” me mbështetjen e gazetave ndërkombëtare si “Guardian”, “Washington Post”, “Le Monde” dhe “Der Spiegel”, iu kushtua kujtimit të gazetares 27-vjeçare.

Projekti synon të hedhë dritë mbi fatin e gazetarëve dhe civilëve të ndaluar në Rusi dhe në territoret e pushtuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë