Fotoja e presidentit amerikan Trump, ulur ballë për ballë me presidentin ukrainas Zelensky, në skajet e ceremonisë mortore të Papa Françeskut, nuk do të sjellë paqen, ndoshta as një armëpushim mes ushtrisë pushtuese të Vladimir Putinit dhe trupave të Kievit, por, në një epokë ku “reels” të TikTok-ut janë bërë si një lutje e përditshme për breza të tërë, kjo pamje ka pasur dhe do të ketë një ndikim të rëndësishëm.
Temat mbeten ato të zakonshmet: diplomacia dhe armët, plani amerikan që i lëshon Moskës atë që kërkon, njohjen e aneksimit të paligjshëm të Krimesë, territorit të shkëputur dhunshëm nga Ukraina në kundërshtim me marrëveshjet e Budapestit të vitit 1994, ndërkohë që mbrojtësit e sovranitetit ukrainas mbeten me shumë pak karta në dorë. E megjithatë, përkrah fotos ku Trump dhe Zelensky shfaqen krah për krah me kryeministrin laburist britanik Starmer dhe presidentin elegant francez Macron, të cilët përqafojnë dy liderët si për të forcuar mesazhin e solidaritetit europian, imazhet që qarkullojnë online pritet të mbeten në histori.

Qoftë për ata që ishin të pranishëm në këtë shtrëngim duarsh, qoftë për ata që munguan, si kryeministrja italiane Meloni dhe presidentja e Komisionit Europian von der Leyen.
Takimi i fundit mes Trump dhe Zelensky ishte përplasja në Shtëpinë e Bardhë, ku nënkryetari J.D. Vance u soll si “roje” i ashpër, duke përfunduar me largimin e bujshëm të liderit ukrainas nga Uashingtoni. Edhe pse Trump nuk ka ndryshuar vijën e tij politike, pavarësisht toneve të ashpra kundër “Vladimirit” për sulmet ajrore brutale ndaj Kievit gjatë negociatave, pozita e tij sot është shumë më e brishtë se në 20 janar, kur mori detyrën me gjithë ceremonialin e zakonshëm.
Trump nuk ka më mbështetjen që kishte dhe janë të shumtë njerëzit që nuk janë dakord me tarifat e vnedosura dhe politikat që ai po ndjek.
Trump duhet ta marrë parasysh këtë dhe, duke i lejuar vetes një foto me Zelenskyn, duke e parë atë përsëri pas lamtumirës së tij me Françeskun, pranon hapin prapa. Edhe miqtë e Kievit, siç është historiani amerikan Stephen Kotkin, tani pranojnë, me ngurrim, se lufta nuk mund të vazhdojë përgjithmonë dhe se negociatat duhet të zhvillohen: takimi i heshtur, pa fyerjet dhe ngacmimet e Zyrës Ovale, na lë të shpresojmë, vetëm të shpresojmë për momentin, se manteli i Papa Françeskut do të sjellë të paktën një armëpushim, pa poshtërim për të drejtët dhe triumf për të dhunshmit.
Marrë nga La Repubblica.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.