Bota

Trump: Venezuela do i dorëzojë SHBA-ve deri në 50 milionë fuçi naftë dhe do t’i kontrollojmë ne

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti amerikan Donald Trump, ka njoftuar se Venezuela do të dorëzojë deri në 50 milionë fuçi naftë të cilësisë së lartë, me vlerë rreth 2.8 miliardë dollarë, tek SHBA-të pas largimit të presidentit Nicolás Maduro nga pushteti.

Trump deklaroi në një postim në rrjetin social Truth Social se kjo naftë do të shitet me çmimin e tregut dhe të ardhurat do të kontrollohen prej tij, për t’u përdorur në dobi të popullit venezuelian dhe amerikan.

“Jam i kënaqur të njoftoj se Autoritetet e Përkohshme në Venezuelë do të dorëzojnë midis 30 dhe 50 milionë fuçi naftë të cilësisë së lartë, të sanksionuar, tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo naftë do të shitet me çmimin e saj të tregut, dhe ato para do të kontrollohen nga unë, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të siguruar që të përdoren për të përfituar populli i Venezuelës dhe i Shteteve të Bashkuara!”, shkroi Trump.

Trump shtoi se i ka kërkuar Sekretarit të Energjisë, Chris Wright, ta zbatojë këtë plan “menjëherë”. Nafta  sipas tij, do të transportohet me anije magazinuese dhe do të dërgohet drejtpërdrejt në portet e shkarkimit në Shtetet e Bashkuara.

Ky zhvillim vjen pas betimit të Delcy Rodríguez si presidente e përkohshme e Venezuelës, ndërsa Maduro është transferuar në SHBA për t’u përballur me akuza për trafik droge dhe armësh.

Trump ka shtuar se industria amerikane e naftës do të rikthehet në Venezuelë brenda 18 muajve, duke pritur investime të mëdha në vend.

Megjithatë, siç shkruan BBC në një artikull, analistët paralajmërojnë se rikthimi i prodhimit të dikurshëm të Venezuelës mund të kërkojë dhjetëra miliarda dollarë dhe deri një dekadë kohë.

Ndërkohë, përfaqësues të kompanive të mëdha amerikane të naftës pritet të takohen këtë javë me administratën Trump për të diskutuar mundësitë e investimeve. Ekspertët mbeten skeptikë se këto plane do të kenë ndikim të menjëhershëm në furnizimin global dhe çmimin e naftës, duke theksuar se kompanitë kërkojnë garanci për stabilitet politik përpara se të angazhohen në projekte afatgjata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë