Bota

Trump tërhiqet nga lufta tregtare, pezullon për 90 ditë tarifat e reja me përjashtim të Kinës

Gazeta Si – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump tha se po aplikon një pauzë 90-ditore për tarifat e reja, për të gjitha vendet, përveç Kinës.

Sipas asaj që raportojnë mediat e huaja në të njëjtën kohë që dha këtë lajm, presidenti Trump gjithashtu njoftoi se është vendosur rritja e normave të tarifave ndaj Kinës në 125%. Nuk ka qenë e qartë se për cilat vende do të zbatohej pauza, teksa detaje të mëtejshme priten në vijim.

Në të njëjtin mesazh në rrjetet sociale, Trump tha se po rrit tarifat e SHBA-së ndaj Kinës ndërsa punon për të sjellë Pekinin në tryezën e negociatave.

“Bazuar në mungesën e respektit që Kina ka treguar ndaj tregjeve botërore, unë po e rris tarifën e vendosur ndaj Kinës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 125%, në fuqi menjëherë. Në një moment, shpresojmë se në të ardhmen e afërt, Kina do të kuptojë se ditët e shqyerjes së SHBA-së dhe vendeve të tjera, nuk janë më të qëndrueshme ose të pranueshme”, shkroi ai.

Kujtojmë se tarifat e importit të vendosura nga Donald Trump që hynë në fuqi këtë të mërkurë, godasin 60 vende të cilat shefi i Shtëpisë së Bardhë i akuzon për pandershmëri në marrëdhëniet tregtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë