Gazeta Si – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është takuar të mërkurën me presidentin e ri të përkohshëm të Sirisë, Ahmad al-Sharaa, një ish-udhëheqës i kryengritësve, që kaloi vite i burgosur nga forcat amerikane pasi u kap në Irak.
Takimi ndodhi para se Trump të përfundojë qëndrimin e tij në Arabinë Saudite dhe të udhëtojë për në Katar, në kuadër të një turneu në Lindjen e Mesme, që do të përfshijë, gjithashtu, një ndalesë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Trump dhe al-Sharaa u takuan prapa dyerve të mbyllura, ndërsa gazetarët nuk u lejuan të merrnin pjesë, raportoi agjencia e lajmeve “Associated Press”. Ky takim vjen pasi administrata e Shtëpisë së Bardhë hoqi sanksionet ndaj Sirisë.
Al-Sharaa u shpall president i Sirisë në janar, një muaj pas një ofensive të befasishme të grupeve kryengritëse të udhëhequra nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS), të cilën ai e drejtonte.
Kjo organizatë është e shpallur terroriste nga SHBA-ja. Ato forca pushtuan Damaskun dhe i dhanë fund sundimit 54-vjeçar të familjes Assad.
Trump tha, para takimit, se vendimin për ta takuar al-Sharaan e mori pas inkurajimit nga princi saudit, Mohammed bin Salman, dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan. Ai premtoi, gjithashtu, se do të heqë sanksionet shumëvjeçare ndaj Sirisë.
Në Siri sakaq njerëzit dolën në rrugë për të përshëndetur lajmin se Trump do të takohet me al-Sharaa. Heqja e sanksioneve nga ana e Shteteve të Bashkuara ka ndihmuar Sirinë që të shpëtojë nga përkeqësimi i ekonomisë së saj, teksa shteti është në rimëkëmbje.
Këto sanksione u vendosën për të ndëshkuar regjimin e Assad-it dhe të bëhej një tranzicion politik, por me rrëzimin e tij dhe ardhjen e përkohshme në pushtet të al-Sharaa, SHBA hoqi këto masa të rrepta duke lënë mundësinë e rindërtimit të infrastrukturës së shkatërruar, rikthimin e investimeve të huaja dhe normalizimin e marrëdhënieve diplomatike me perëndimorët.
Al-Sharaa u rikthye në Siri pas shpërthimit të konfliktit në vitin 2011 dhe mori drejtimin e degës së al-Kaidës, e njohur si Fronti Nusra. Më pas, ai e riemërtoi grupin në Hayat Tahrir al-Sham, dhe shkëputi lidhjet formale me al-Kaidën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.