Bota

Trump shtyn me 5 ditë sulmet ndaj Iranit: Bisedime konstruktive! Teherani e përgënjeshtron

Nga Gazeta ‘Si’– Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka njoftuar armëpushimin 5 ditor me Iranin pas dy ditë bisedimeve të suksesshme mes dy vendeve. 

Trump thotë se vijimi i marrëdhënieve do të varet nga suksesi i grupeve negociatore.

Në një postim në TruthSocial ai shkruan se do të “shtyjë çdo sulm kundër centraleve elektrike dhe infrastrukturës energjetike iraniane” për një periudhë pesë-ditore.

“DUKE U BAZUAR NË NATYRËN DHE TONIN E KËTYRE BISEDIMEVE TË THELLUARA, TË DETAJUARA DHE KONSTRUKTIVE, TË CILAT DO TË VAZHDOJNË GJATË GJITHË JAVËS, I KAM DHËNË URDHËR DEPARTAMENTIT TË LUFTËS TË SHTYJË TË GJITHA SULMET USHTARAKE NDAJ CENTRALEVE ENERGJETIKE DHE INFRASTRUKTURËS SË ENERGJISË NË IRAN PËR NJË PERIUDHË PESËDITORE, NË VARËSI TË SUKSESIT TË TAKIMEVE DHE DISKUTIMEVE NË VAZHDIM. FALEMINDERIT PËR VËMENDJEN NDAJ KËSAJ ÇËSHTJEJE! PRESIDENTI DONALD J. TRUMP.”, shkroi Trump me shkronja kapitale. 

Por sipas BBC, Ministria e Jashtme e Iranit ka lëshuar një deklaratë, duke mohuar atë që tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump në lidhje me negociatat.

Ministria e Jashtme shtoi: “Republika Islamike e Iranit i përmbahet qëndrimit të saj duke hedhur poshtë çdo lloj negociate përpara se të arrijë qëllimet e Iranit nga lufta.”

Nuk është e qartë se në çfarë u përqendruan saktësisht këto bisedime. Tema mund të ketë qenë potencialisht programi i raketave balistike të Iranit ose pasurimi bërthamor, apo thjesht një armëpushim – një perspektivë që Trump e minimizoi posaçërisht të premten.

Mund të jetë gjithashtu një referencë për Ngushticën e Hormuzit, megjithëse hapja e saj për trafikun detar është diçka që iranianët deri më tani nuk e kanë premtuar publikisht. Shumica e ekspertëve e konsiderojnë të pamundur, pasi kontrolli i Iranit mbi Hormuzin paraqet ndikimin e tij më të madh në luftë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë