Gazeta Si – Donald Trump dëshiron të pranojë një Boeing 747-8 luksoze si dhuratë nga familja mbretërore e Katarit për ta përdorur si “Air Force One” të ri (emri i dhënë aeroplanit me të cilin udhëton Presidenti i Shteteve të Bashkuara).
Plani, problematik për disa arsye, u raportua fillimisht nga “ABC News” dhe u konfirmua nga media të tjera amerikane, derisa vetë Trump dhe qeveria e Katarit folën për të.
Ata planifikojnë ta mbajnë avionin me Trump në fund të mandatit të tij. Lajmi doli në prag të udhëtimit të Trump në Lindjen e Mesme.
Mediat e kanë vlerësuar vlerën e avionit mbi 400 milionë dollarë, më shumë se 356 milionë euro. Trump e bëri njoftimin pasi demokratët kërkuan një hetim, duke thënë se “dhurata më e madhe që i është dhënë ndonjëherë një presidenti nga një qeveri e huaj” ishte e paligjshme.
So the fact that the Defense Department is getting a GIFT, FREE OF CHARGE, of a 747 aircraft to replace the 40 year old Air Force One, temporarily, in a very public and transparent transaction, so bothers the Crooked Democrats that they insist we pay, TOP DOLLAR, for the plane.…
— Donald J. Trump Posts From His Truth Social (@TrumpDailyPosts) May 12, 2025
Trump u mbrojt në mediat sociale duke pretenduar në vend të kësaj se ishte një gjë e dobishme: një “dhuratë falas” për të zëvendësuar “përkohësisht” Air Force One.
Në narrativën e tij, Trump e paraqiti atë si një masë kursimi, duke injoruar të gjithë çështjen etike. Atasheu i Ambasadës së Katarit në Shtetet e Bashkuara, Ali Al-Ansari gjithashtu konfirmoi për mediat se ministria e mbrojtjes e vendit të tij dhe ajo e SHBA po diskutojnë transferimin.
Al-Ansari tha gjithashtu se departamentet ligjore të të dy qeverive janë ende duke shqyrtuar detajet e operacionit dhe se “një vendim përfundimtar ende nuk është marrë”.
Që kur u zbulua, historia e avionit të ri është kritikuar ashpër nëse është e përshtatshme që presidenti i Shteteve të Bashkuara të pranojë një dhuratë me vlerë kaq të lartë nga një qeveri tjetër, me mundësinë e vazhdimit të përdorimit pas mandatit të tij dhe nëse kjo nuk është më tepër një përpjekje për të ndikuar tek ai, si dhe për të marrë favore nga ai.
“Edhe në një presidencë të karakterizuar nga mashtrimi, kjo është një lëvizje tronditëse. E bën të qartë se politika e jashtme e SHBA nën Trump është në shitje”, – tha për “New York Times”, Robert Weissman, president i OJQ-së së njohur Public Citizen.

Administrata Trump u mbrojt duke thënë se dhurata nuk mund të konsiderohej ryshfet, sepse nuk shoqërohej me asnjë masë të favorshme për Katarin dhe se nuk shkel ndalimin e marrjes së tyre nga një qeveri e huaj, sepse avioni do t’i jepet Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe vetëm më vonë bibliotekës presidenciale të Trumpit (d.m.th. fondacioni që krijon çdo president në fund të mandatit të tij).
Përgjigja e administratës iu besua gjithashtu Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi, e cila më parë ka punuar si lobiste për qeverinë e Katarit.
Boeing 747-8 i Katarit, është përshkruar si “një pallat në qiell”, sepse është i pajisur në mënyrë luksoze. Faqja e internetit “Semafor”, ka publikuar disa foto të brendshme, duke referuar numrin e bishtit (d.m.th. kodin e regjistrimit) të avionit të fotografuar në Shtetet e Bashkuara me katalogë online: ato tregojnë, ndër të tjera, një sallë pritjeje, një zyrë private, tavolina mbledhjesh dhe rreshta kolltuqesh, të gjitha shumë luksoze.
Në fakt, shkurtin e kaluar Trump e kishte vizituar avionin teksa ishte në aeroportin në Palm Beach, Florida, dhe mediat shkruanin për mundësinë që ai të bëhej një “Air Force One” i ri.



Në fillim të majit, “Wall Street Journal” zbuloi se një kompani me bazë në Florida (L3Harris) ishte ngarkuar tashmë për ta përshtatur atë në mënyrë që të mund të përdoret nga presidenti: një detyrë që, duke pasur parasysh standardet e sigurisë dhe shndërrimin në përdorim ushtarak, nuk do të jetë e thjeshtë apo e shpejtë, pavarësisht pritshmërive të qeverisë, e cila do të donte një të re sa më shpejt të jetë e mundur.
Mësohet se Trump është i zemëruar për vonesat në dorëzimin e dy Air Force One-ve të rinj që në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë, qeveria e tij i kishte porositur nga kompania amerikane Boeing për gati 4 miliardë dollarë (3.6 miliardë euro). Dorëzimi i avionit, i planifikuar për vitin 2024, megjithatë u shty për në vitin 2029.
Menjëherë pas fillimit të mandatit të tij të ri, Trump kishte ngarkuar Elon Musk, në kohën kur ai ishte më me ndikim në administratën e tij, të përpiqej ta riorganizonte atë.

Asgjë më shumë nuk u dëgjua për të. Ideja e marrjes së një avioni të dhuruar nga Katari shihet gjithashtu si një mënyrë për të bërë presion ndaj “Boeing Air Force One” aktual, modeli 747, janë më shumë se tridhjetë vjeç, që kanë qenë në shërbim që nga viti 1990 dhe shpesh kanë nevojë për mirëmbajtje. “Boeing 747-8” i Katarit, nga ana tjetër, ka më pak se dhjetë vjet.
Kjo nuk është hera e parë që Katari i jep një avion si dhuratë një qeverie me të cilën dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet.
Në vitin 2018, ai i ofroi një “Boeing 747” për presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan. Përveç “Boeing 747-8” për të cilin është folur këto ditë, Katari po financon dhe drejton edhe kërkimet në Siri për kufomat e pengjeve amerikane të vrarë dhjetë vjet më parë nga Shteti Islamik.
Dhuratat janë gjithashtu një mënyrë që vendi të vihet re tani që Trump është gati të bëjë udhëtimin e tij në Lindjen e Mesme, i cili fillon të martën në Arabinë Saudite.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.