Gazeta Si – SHBA-të dhe Japonia kanë arritur një marrëveshje tregtare prej 550 miliardë dollarësh, “ndoshta marrëveshja më e madhe ndonjëherë”, njoftoi Donald Trump të martën vonë si pjesë e marrëveshjeve dypalëshe mbi tarifat.
Tokio, tha Trump në një postim në Twitter, do të investojë 550 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara, të cilat do të marrin 90% të fitimeve, ndërsa do të përfitojnë gjithashtu nga “qindra mijëra” vende të reja pune.
Tarifat reciproke midis dy vendeve do të jenë 15%. Në postimin e tij, ai shkruan se “sapo përfunduam një marrëveshje të madhe me Japoninë, ndoshta marrëveshja më e madhe e bërë ndonjëherë.
Japonia do të investojë, nën udhëheqjen time, 550 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara, të cilat do të marrin 90% të fitimeve. Kjo marrëveshje do të krijojë qindra mijëra vende pune – nuk ka pasur kurrë diçka të tillë. Ndoshta më e rëndësishmja, Japonia do ta hapë vendin e saj për tregti, duke përfshirë makina dhe kamionë, oriz dhe disa produkte të tjera bujqësore dhe gjëra të tjera.
Japonia do t’u paguajë Shteteve të Bashkuara tarifa reciproke prej 15%. Kjo është një kohë shumë emocionuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më e rëndësishmja për faktin se ne gjithmonë do të vazhdojmë të kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me vendin e Japonisë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




