Gazeta Si – Presidenti i SHBA-ve, Donald J. Trump, njoftoi nëpërmjet një postimi në Truth Social se Irani dhe Izraeli kanë rënë dakord për një “ARMPUSHIM TË PLOTE dhe TOTALE (përafërsisht brenda 6 orësh, kur Izraeli dhe Irani të jenë tërhequr dhe të kenë përfunduar misionet e tyre të fundit në zhvillim e sipër!), për 12 orë, në të cilën pikë Lufta do të konsiderohet e MBARUAR!” Duke shtuar se lufta duhet të quhet “LUFTA 12-DITORE”.
Nëse marrëveshja do të respektohet nga të dyja palët, atëherë ky do të ishte fundi i një lufte 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit, të cilët kanë shkëmbyer sulme të shumta.
Në postimin e tij, Trump dha detajet e armëpushimit duke shkruar: “Irani do të nisë armëpushimin dhe, në përfundim të orës së dymbëdhjetë, Izraeli do të fillojë armëpushimin e tij. Në përfundim të 24 orëve, fundi zyrtar i luftës 12-ditore do të përshëndetet nga e gjithë bota.”
Trump shtoi: “Gjatë secilit armëpushim, pala tjetër do të mbajë një qëndrim paqësor dhe respektues.” Dhe në fund: “Duke supozuar se gjithçka do të ecë sipas planit – dhe kështu do të ndodhë – dëshiroj të përgëzoj të dy vendet për qëndresën, guximin dhe mençurinë e treguar për t’i dhënë fund asaj që duhet quajtur ‘lufta e 12 ditëve’’.
Teherani ka konfirmuar se ka pranuar armëpushimin me Izraelin, i ndërmjetësuar nga Katari dhe propozuar nga Shtetet e Bashkuara.
Marrëveshja për armëpushim vjen pas hakmarrjes së Iranit për sulmin e SHBA, duke shënjestruar bazat amerikane në Katar dhe Irak.
Trump dhe zëvendëspresidenti Vance diskutuan propozimin për armëpushim mes Izraelit dhe Iranit me emirin e Katarit, pas sulmeve iraniane ndaj bazave amerikane në Doha.
Kryeministri i Katarit arriti të sigurojë dakordësinë e Iranit përmes një telefonate me Teheranin. Ndërkohë, Teherani ka konfirmuar se ka pranuar armëpushimin, por nga Izraeli nuk ka ende asnjë reagim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.