Nga Gazeta ‘SI’ – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dalë sot në një deklaratë nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, ku ka folur për operacionin e gjerë ushtarak të SHBA-së në Venezuelë dhe kapjen e presidentit Nicolás Maduro.
Presidenti Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të marrin drejtimin e Venezuelës pas kapjes së Nicolás Maduro-s. Ai theksoi se administrata amerikane do të menaxhojë vendin “deri në momentin kur të mund të sigurohet një tranzicion i sigurt, i drejtë dhe i matur”.
Trump shtoi se qëllimi i SHBA-ve është të shmangë përsëritjen e së njëjtës situatë, ku një tjetër figurë politike do të merrte pushtetin dhe vendi do të përfundonte sërish në krizë.
“Ne do të drejtojmë vendin deri në momentin kur të mund të kemi një tranzicion të sigurt, të drejtë dhe të matur. Nuk duam të përfshihemi në një situatë ku dikush tjetër merr pushtetin dhe përfundojmë sërish në të njëjtën gjendje.”, tha Trump.
Trump e përshkroi ndërhyrjen si “një sulm që nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore”, duke theksuar se forcat amerikane goditën një fortese të fortifikuar ushtarake në zemër të Karakasit për të sjellë “diktatorin e jashtëligjshëm” para drejtësisë.
Sipas tij, “asnjë komb në botë nuk mund të arrinte atë që Amerika arriti dje”, duke nënvizuar se të gjitha kapacitetet ushtarake të Venezuelës u neutralizuan. Trump tha se operacioni u krye në mesnatë, në kushte errësire, pasi dritat e kryeqytetit ishin fikur, dhe e përshkroi si “të errët dhe vdekjeprurës, por Maduro u kap”.
Trump e konsideroi operacionin si një sukses historik, duke thënë se “asnjë komb në botë nuk mund të arrinte atë që Amerika arriti dje”. Ai theksoi se kapacitetet ushtarake të Venezuelës u neutralizuan plotësisht, ndërsa forcat amerikane, në bashkëpunim me agjencitë e rendit, e arrestuan Maduron në mesnatë, në kushte errësire dhe të rrezikshme.
Trump shtoi se trupat amerikane u përballën me rezistencë, por kundërshtarët u mbingarkuan dhe u neutralizuan shumë shpejt. “Ata e dinin që po vinim, por nuk mundën të na ndalonin,” deklaroi ai.
Presidenti amerikan nënvizoi se operacioni u krye pa viktima nga pala amerikane dhe pa humbje të pajisjeve ushtarake. “Nëse do të kishit parë atë që pashë unë mbrëmë, do të mbeteshit të impresionuar,” tha Trump.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




