Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se forcat amerikane do të nisin goditje tokësore në Venezuelë kundër trafikantëve të drogës.
Gjatë një deklarate në Zyrën Ovale, Trump tha se SHBA‑të po ndalojnë tashmë 96% të drogës që hyn në vend përmes rrugëve detare.
“Nuk do të ishte shumë e mençur nga ana ime t’jua thosha këtë, se supozohet të jemi paksa sekretë. Por ne po godasim drogën në nivele që askush nuk i ka parë ndonjëherë. Ne kemi eliminuar 96% të drogave që hynin nga deti. Tani po fillojmë nga toka, dhe nga toka është shumë më e lehtë. Ne nuk do të lejojmë që njerëzit të shkatërrojnë rininë tonë”.
Ndërkohë, presidenti venezuelian, Nicolas Maduro, ka deklaruar se vendi i tij nuk do t’i nënshtrohet kërcënimit të Donald Trump.
“Formula e tyre e gënjeshtrave, presionit, shantazhit dhe kërcënimeve nuk funksionon me ne. Nuk funksionon dhe nuk do të funksionojë kurrë”, deklaroi Maduro gjatë një dalje televizive.
Ndërkohë, sekuestrimi nga SHBA i cisternës “Skipper” pranë brigjeve të Venezuelës shënon kapjen e parë të një ngarkese nafte venezueliane që prej vendosjes së sanksioneve amerikane në vitin 2019.
Sipas të dhënave, gjatë këtij viti janë kryer mbi 20 goditje ushtarake amerikane në Karaibe dhe Paqësor kundër mjeteve të dyshuara për trafik droge, ku kanë humbur jetën rreth 90 persona. Shtetet e Bashkuara të Amerikës akuzojnë presidentin venezuelian si kreun e trafikut të drogës, gjë e cila mohohet nga Maduro.
Ndërkohë, në mes të tensioneve mes dy vendeve, admirali që ishte në krye të forcave ushtarake amerikane në Amerikën Latine është larguar nga detyra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




