Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se një marrëveshje për Rripin e Gazës mund të arrihet së shpejti për të siguruar lirimin e të gjitha pengjeve që po mbahen nga Hamasi.
Paraprakisht, Trumpi tha se po e paralajmëronte “për herë të fundit” Hamasin që t’i pranojë kushtet e marrëveshjes.
Duke folur për gazetarët pasi mbërriti në Uashingtonin të dielën mbrëma pas një udhëtimi të shkurtër në Nju Jork, Trump tha se e kishte diskutuar marrëveshjen në avion.
“Ne po punojmë për një zgjidhje që mund të jetë shumë e mirë”, tha ai.
Ai nuk pranoi të jepte më shumë hollësi, por shtoi se “do të dëgjoni për të shumë shpejt”.
“Po përpiqemi ta përfundojmë këtë, t’i kthejmë pengjet”, theksoi ai.

Më herët të dielën, ai e paralajmëroi Hamasin që t’i pranonte kushtet e marrëveshjes, pa dhënë ndonjë shpjegim.
“Izraelitët i kanë pranuar kushtet e mia. Është koha që Hamasi t’i pranojë gjithashtu”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
“E kam paralajmëruar Hamasin për pasojat e mospranimit. Ky është paralajmërimi im i fundit, nuk do të ketë një tjetër!”
Hamasi tha më vonë se i kishte pranuar disa ide nga pala amerikane përmes ndërmjetësve, për ta arritur një marrëveshje armëpushimi në Gazë, dhe se po shtjellonte mënyrat për t’i zhvilluar ato ide.
As Hamasi nuk dha hollësi për marrëveshjen e mundshme.
Në deklaratën e tij, Hamasi përsëriti gjithashtu gatishmërinë për bisedime për lirimin e të gjithë pengjeve në këmbim që “lufta të shpallet shumë qartë e përfunduar” dhe që forcat izraelite të tërhiqen plotësisht nga toka palestineze.
Trump u tha gazetarëve se mendon se të gjitha pengjet do të kthehen.
“Mendoj se do t’i marrim të gjithë”, tha ai.
Ai theksoi se disa mund të kenë vdekur tashmë, por se synimi është kthimi i trupave të tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



