Nga Gazeta ‘Si– Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Iranin se “koha po mbaron” për të arritur një marrëveshje mbi programin bërthamor, ndërsa Shtetet e Bashkuara po rrisin ndjeshëm praninë e tyre ushtarake në rajonin e Gjirit.
Trump deklaroi se një “armatë masive” e forcave detare amerikane po lëviz “me shpejtësi, fuqi dhe qëllim të qartë” drejt Iranit, duke sinjalizuar gatishmërinë e Washingtonit për veprime të ashpra nëse Teherani nuk pranon të ulet në tryezën e negociatave.
Reagimi nga Irani ishte i menjëhershëm.
Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi tha se forcat e armatosura iraniane janë “me gishtin në këmbëz”, gati për t’iu përgjigjur “menjëherë dhe fuqishëm” çdo agresioni, qoftë në tokë apo në det.
Irani vijon të këmbëngulë se programi i tij bërthamor është plotësisht paqësor dhe se nuk ka synuar kurrë zhvillimin e armëve bërthamore, akuza këto që i ka mohuar vazhdimisht përballë SHBA-ve dhe aleatëve të saj.

Paralajmërimi i Trump vjen në një moment kur Irani po përballet edhe me trazira të rënda të brendshme.
Protestat shpërthyen pas rënies së fortë të monedhës vendase, por shpejt u shndërruan në një krizë legjitimiteti për udhëheqjen klerikale të vendit.
“Ndihma është rrugës”, deklaroi Trump, duke sugjeruar një ndërhyrje amerikane në mbështetje të protestuesve. Më vonë, ai tha se ishte informuar se ekzekutimet e demonstruesve kishin ndalur.
Sipas Human Rights Activists News Agency (HRANA), mbi 6 300 persona janë vrarë që nga fillimi i trazirave në fund të dhjetorit, përfshirë rreth 5 900 protestues.
Organizata po heton gjithashtu raportime për rreth 17 mijë viktima të tjera, të marra gjatë një bllokade pothuajse 3-javore të internetit. Ndërkohë, grupi Iran Human Rights, me bazë në Norvegji, paralajmëron se bilanci përfundimtar mund të kalojë 25 mijë të vrarë.
Megjithatë, deklaratat më të fundit të Trump janë fokusuar kryesisht te programi bërthamor i Iranit. Në një postim në TruthSocial, ai shkroi se shpresonte që Irani të “vijë shpejt në tryezë” për një marrëveshje “të drejtë dhe të barabartë”, duke theksuar: ASNJË ARMË BËRTHAMORE!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



