Bota

Trump: Putin pranoi kërkesën time të mos e sulmojë Ukrainën për 1 javë

Gazeta Si – Donald Trump tha se i kërkoi Vladimir Putinit të mos sulmonte për një javë Ukrainën për shkak të të ftohtit të dimrit dhe se presidenti rus pranoi.

“I kërkova Putinit të mos qëllonte mbi Kievin dhe qytetet ukrainase për shkak të të ftohtit rekord për një javë”, përsëriti Trump gjatë mbledhjes së kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se homologu i tij rus “ra dakord. Ishte një gjë e shkëlqyer; ukrainasit pothuajse nuk mund ta besonin”.

Temperaturat në Ukrainë do të bien në -30°C. Një takim i ri trepalësh është shtyrë deri javën tjetër, por Trump dhe kolegët e tij mbeten optimistë se paqja është e afërt.

Presidenti i SHBA-ve, deklaroi gjithashtu se i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, po punojnë shumë për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, duke shtuar: “Ne do t’ia dalim mbanë”. “Steve Witkoff po punon shumë, ashtu si Jared dhe të gjithë të tjerët dhe mendoj se do t’ia dalim mbanë”, tha Trump gjatë një takimi të kabinetit. “Ne kemi mbyllur tetë luftëra dhe besoj se një tjetër konflikt do të mbyllet”, përsëriti ai.

Temperaturat në Ukrainë parashikohet të bien në -30 gradë Celsius (-22 gradë Fahrenheit) në ditët në vijim, pasi vendi përballet me ndërprerje të gjera të energjisë elektrike dhe ngrohjes për shkak të sulmeve ajrore ruse.

Ky është paralajmërimi i lëshuar nga agjencia meteorologjike. Në një postim në rrjetet sociale, Qendra Hidro-meteorologjike e Ukrainës deklaroi se nga 1 deri më 3 shkurt, “priten temperatura shumë të ftohta: temperaturat e natës pritet të bien midis -20 dhe -27 gradë Celsius, dhe në disa zona, temperaturat e natës pritet të bien në -30 gradë Celsius”.

Rrjeti energjetik i Ukrainës është dëmtuar rëndë në muajt e fundit nga një seri sulmesh ajrore masive ruse që dëmtuan termocentralet, transformatorët dhe sektorin e gazit të vendit.

Këto sulme shkaktuan ndërprerje të gjera të energjisë elektrike dhe ngrohjes në një kohë me temperatura tashmë të ulëta, veçanërisht në kryeqytet, Kiev, ku deri në gjysma e qytetit u godit herë pas here, dhe në qytetet kryesore të Kharkiv, Odessa dhe Dnipro.

Autoritetet ukrainase njoftuan se kishin filluar punën emergjente për të rivendosur rrjetin e energjisë dhe hapën zona të caktuara ku banorët mund të gjejnë ngrohje dhe qasje në energji elektrike. Bashkia e Kievit raportoi se 613 ndërtesa në kryeqytet ishin ende pa ngrohje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë