Bota

Trump zbut Putinin në telefon! Rusia ndalon për 30 ditë sulmet në termocentrale, por kërkon: Jo më ndihma ushtarake Kievit

Gazeta Si – Rreth 90 minuta ka zgjatur telefonata mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin me fokus territoret dhe termocentralet në Ukrainë. 

Nga detajet e para të publikuara në rrjetet sociale, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, të konfirmuara edhe nga Kremlini, thuhet se liderët kanë rënë dakord që ukrainasit dhe rusët të ndalin për 30 ditë sulmet ndaj strukturave energjetike.

Sipas një deklarate të Kremlinit, Putin ka rënë dakord të pezullojë sulmet ndaj objektivave energjetike të Ukrainës për një periudhë 30-ditore, por ka kërkuar ndalimin e furnizimit me armë të Kievit nga Perëndimi.

Gjithashtu ai ka theksuar sërish përkushtimin e tij për një zgjidhje paqësore të konfliktit. Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për një shkëmbim të 175 të burgosurve nga secila anë, si pjesë e përpjekjeve për uljen e tensioneve.

“Biseda ime telefonike sot me presidentin rus Putin ishte shumë e mirë dhe produktive. Ne kemi rënë dakord për një armëpushim të menjëhershëm në të gjithë energjinë dhe infrastrukturën, me mirëkuptimin se do të punojmë shpejt për të pasur një armëpushim të plotë dhe, në fund të fundit, një fund të kësaj lufte të tmerrshme midis Rusisë dhe Ukrainës”, shkruan Donald Trump në “Truth Social”.

Pas telefonatës, Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se negociatat do të fillojnë “menjëherë” në Lindjen e Mesme (nuk është e qartë se ku saktësisht) për të pezulluar sulmet në Detin e Zi dhe për të arritur një “armëpushim total” dhe “paqe të përhershme”.

Javën e kaluar Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina paraqitën një propozim të përbashkët për një armëpushim 30-ditor (gjithsej, jo vetëm lidhur me infrastrukturën energjetike).

Ukraina kishte thënë se ishte gati ta pranonte atë, ndërsa Putini në thelb kishte marrë kohën e tij duke thënë se nuk ishte kundër, por se kishte ende shumë “çështje” për të diskutuar.

Kohët e fundit, operacionet ushtarake ruse kanë qenë të suksesshme, dhe kjo është gjithashtu arsyeja pse Putini nuk ka interes të veçantë t’i ndërpresë ato me një marrëveshje që ai nuk e konsideron mjaft të favorshme për Rusinë.

“Nën udhëheqjen e presidentit Putin dhe presidentit Trump, sot bota është bërë një vend shumë më i sigurt. Historike!”

Kështu u shpreh Kirill Dmitriev, i dërguari i posaçëm i Vladimir Putinit për bashkëpunimin ekonomik dhe investimet ndërkombëtare, pak pas përfundimit të telefonatës mes presidentit rus dhe atij amerikan.

Kjo është telefonata e dytë e dy liderëve botërorë që pas marrjes së mandatit të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë nga Trump.

Pak ditë pasi mori detyrën, presidenti amerikan zhvilloi një sërë telefonatash me liderët botërorë, duke përfshirë një me presidentin rus Vladimir Putin dhe një tjetër me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë