Nga Gazeta ‘Si’ – Nëse nuk ndërhyjnë gjyqtarët, qofshin ata të Gjykatës së Lartë apo të shkallëve më të ulëta, atëherë Donald Trump do të shkojë i sigurt dhe me shpejtësi drejt emërimit zyrtar si kandidati i Partisë Republikane për në Shtëpinë e Bardhë.
Ish-presidenti, arriti së fundmi atë që nuk e ka bërë asnjëherë ndonjë kandidat republikan, që nuk ka qenë ndonjëherë president: fitoi në 2 zgjedhjet e para paraprake radhazi, Iowa dhe New Hampshire, shtete me tipare shumë të ndryshme nga njëri-tjetri.
Trump e mposhti me një rezultat të thellë rivalen e tij Nikki Haley, në një garë të reduktuar tashmë në një duel – në fillim ishin 12 kandidatë – pas tërheqjes të dielën e kaluar të guvernatorit të Floridës Ron DeSantis, i cili shpalli mbështetjen e tij të plotë për ish-presidentin (vetë ky i fundit është një klon i Trump, më i ri në moshë, por edhe më antipatik).
Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, shprehet e bindur të vazhdojë garën e saj. Më 24 shkurt procesi i primareve do të ndalet në shtetin e saj. Duke supozuar që ajo do të jetë ende në lojë deri në atë moment, një humbje atje, ku Trump është sërish përpara në sondazhe, do të ishte fundi zyrtar i garës për të.
Zgjedhjet në Nevada, që pritet të mbahen më 8 shkurt, do të jenë përcaktuese për Trump. Në Neë Hampshire, Trump mori thuajse 55 për qind të votave, ndërsa Haley mbi 43 për qind. Hendeku midis të dyve nuk ishte aq i madh sa në Iowa – mbi 30 për qind – dhe ishte më i ulët nga sa e parashikonin sondazhet (mbi 20 për qind).
Gjithsesi diferenca ishe e qartë. Në një nga shtetet më të vogla dhe më pak të populluara në SHBA – sipërfaqja 24 mijë km2, popullsia 1.380.000 banorë – në votime dolën rreth 300 mijë republikanë. Sipas Associated Press, Haley-t po i mbaron koha për ta paraqitur veten si një alternativë e besueshme ndaj ish-presidentit.
E përditshmja “New York Times”, vëren se në letër New Hampshire ishte një shtet më i favorshëm për Haley sesa për Trump. Ndërsa për “Washington Post”, rezultati i këtyre zgjedhjeve konfirmon dominimin e Trump mbi elektoratin republikan, dhe i shton shumë dyshimet për shanset reale të Haley për një përmbysje.
Bazuar në sondazhet e fundit të kryera nga mediat amerikane, gjysma e votuesve republikanë në zgjedhjet paraprake në New Hampshire, besojnë se Joe Biden nuk i fitoi ndershmërisht zgjedhjet e vitit 2020. Po ashtu, ata i besojnë pretendimet e përsëritura të Trump mbi vjedhjen e zgjedhjeve, pavarësisht mungesës së ndonjë prove.
Shqetësimet kryesore të votuesve republikanë janë ekonomia, migracioni, aborti dhe politika e jashtme. Vetë shtabit i fushatës së presidentit Biden, thotë se “Trump thuajse e ka siguruar nominimin”. Biden i gëzohet këtij zhvillimi sepse e sheh manjatin si një kundërshtar më të dobët në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
Trump mund të mos marrë votën e të moderuarve dhe të pavarurve, veçanërisht nëse do të dënohet në një nga gjyqet e shumta që janë hapur ndaj tij. Aktualisht janë të paktën 6 procese.
Dhe në fakt në sondazhet kombëtare, Haley e mposht Bidenin më thellë se sa Trump.
Në kampin e demokratëve, ku zgjedhjet paraprake ishin kaotike – u organizuan nga dega lokale, por u anuluan nga ajo kombëtare, duke mos zgjedhur dot delegatë për konventën, dhe Biden nuk ishte regjistruar – presidenti arriti një sukses të dukshëm:më shumë se gjysma e votuesve shkruanin emrin e tij në fletën e votimit.
Vetëm më pak se 20 për qind votuan për rivalin e tij, kongresmenin e Minesotës, Dean Phillips, i vetmi në listë. Demokratët që shkuan në votime, ishin pak më shumë se 100.000 mijë.
Në Partinë Demokratike, primaret nisin zyrtarisht më 3 shkurt në Karolinën e Jugut.
Karolina e Jugut është një shtet ku pakicat kanë më shumë peshë sesa në Iowa dhe New Hampshire, dy shtete me shumicë të bardhësh. Kreu i demokratëve në New Hampshire, Ray Buckley, e vlerësoi “fitoren dërrmuese” të Biden
:”Qytetarët e shtetit të Granitit dolën në qendrat e votimit në një numër të madh, për të treguar mbështetjen e tyre për punën e madhe të bërë nga administrata Biden-Harris në rritjen e ekonomisë dhe mbrojtjen e demokracisë tonë”.
Ndërkohë Phillips theksoi: ”Unë jam i vetmi që mund ta mposht Donald Trumpin!”. Duke folur për Fox News dhe mbështetësit e tij, ish-presidenti tha se ndihej “i nderuar” nga fitorja e arritur, teksa shprehu bindjen se tashmë Partia Republikane është “shumë e bashkuar” pas kandidaturës së tij.
Më pas, duke ndryshuar tonin e ligjëratës, ai nisi të sulmojë rivalen brenda partisë Haley (“Ajo duhet të largohet nga gara, pasi në të kundërt do të harxhojmë para në garën ndaj njëri-tjetrit, në vend se t’i shpenzojmë në betejën kundër Biden”) por edhe presidentin aktual.
Pak orë më herët, Trump kishte deklaruar se nuk do t’i kërkonte askujt që të tërhiqet, dhe nuk i interesonte nëse rivalja e tij do të vazhdonte garën. Pas suksesit të fundit, ai tha:”Haley pati një mbrëmje të keqe. Ajo humbi dhe mbajti një fjalim sikur të kishte fituar”.
Pastaj bëri një insinuatë djallëzore ndaj saj:”Nëse do të fitonte nominimin, ajo do të niste të hetohej brenda 15 minutash për disa probleme të vogla, për të cilat nuk dëshiron të flasë në publik”. Ndërkohë manjati u tall me presidentin në detyrë:”Ne e mundëm Joe Biden. E kush nuk do ta mundte atë? Ai nuk mund të lidhë dot 2 fjalë, nuk mund të ecë normalisht”.
Në tribunë bashkë me të ishin ish-rivalët Vivek Ramaswamy, sipërmarrësi dhe Tim Scott, senatori nga Karolina e Jugut.
Për Ramaswamy, Haley duhet të tërhiqet nga gara sepse “primaret mbarojnë këtu”. Nga ana e saj ish-guvernatorja e uroi manjatin për fitoren, por la të kuptojë se do të vazhdojë sfidën:”Nominimi i Trump si kandidati i partisë sonë, do të ishte një fitore e sigurt për Biden. Dhe Karolina e Jugut nuk e do një gjë të tillë. Ajo do një alternativë… Demokratët janë shumë të interesuar që ta kenë sërish përballë Trumpi. Ata e dinë se ai është i vetmi republikan në SHBA, që mund të mposhtë Joe Biden, sepse ai krijon kaos”.
Sipas saj shumica e amerikanëve, nuk duan një revansh midis Biden dhe Trump, dhe se në zgjedhje do të fitojë partia e parë që do të nxjerrë në pension kandidatin e saj 80-vjeçar. Vetë Haley është 52 vjeç. Ndoshta ajo që thotë është e vërtetë. Por as republikanët dhe as demokratët, nuk duken të gatshëm të heqin dorë nga “figurat e tyre dikur të lavdishme”.
Burimi: Il Fatto Quotidiano/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




