Bota

Trump pezullon ndihmën ushtarake për Ukrainën pas përplasjes me Zelenskyn

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pezulloi gjithë ndihmën ushtarake për Ukrainën, pas përplasjes së tij me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, javën e kaluar në Zyrën Ovale.

“Ne po e ndalojmë dhe shqyrtojmë ndihmën tonë, për t’u siguruar se ajo i kontribuon zgjidhjes”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke folur në kushte anonimiteti.

“Presidenti ka qenë i qartë se është i përqendruar në paqe. Ne kemi nevojë që partnerët tanë të përkushtohen ndaj këtij qëllimi”, tha zyrtari.

Bloomberg dhe Fox News raportojnë se pauza do të zgjasë derisa Trump të përcaktojë se udhëheqësit e vendit janë të përkushtuar – me besim të mirë – ndaj paqes.

“Kjo nuk është ndalesë e përhershme e ndihmës – është pauzë”, citoi Fox News një zyrtar të administratës Trump.

Sasia e saktë e ndihmës ushtarake që preket nga ky vendim, nuk është e qartë, por transferimi i armëve me vlerë 3.85 miliardë dollarë – i autorizuar nga Kongresi amerikan nën ish-presidentin Joe Biden – nuk është proceduar ende nga Shtëpia e Bardhë.

Ndonjë ndihmë e re ushtarake nuk është miratuar pasi Trump ka marrë detyrën në janar.

Kongresi amerikan ka miratuar vlerën e më shumë se 180 miliardë dollarëve ndihma për Ukrainën, prej se Rusia ka nisur pushtimin e saj në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022.

“Pezullimi i ndihmës së SHBA-së, para së gjithash, mund t’i prekë raketat e mbrojtjes ajrore, municionet HIMARS dhe artilerinë”, shkroi ligjvënësi ukrainas, Oleksiy Honcharenko, në Telegram.

Demokratët e dënuan menjëherë vendimin për pezullimin e ndihmave, duke e cilësuar si të rrezikshëm dhe të paligjshëm.

“Kolegët e mi republikanë, të cilët e kanë quajtur [presidentin rus, Vladimir] Putin kriminel lufte dhe kanë premtuar mbështetjen e tyre të vazhdueshme për Ukrainën, duhet të bashkohen me mua dhe të kërkojnë që presidenti Trump të heqë dorë nga kjo ngrirje katastrofike dhe e paligjshme”, tha përfaqësuesi demokrat, Gregory Meeks.

Shtetet e Bashkuara, më herët, bënë trysni mbi Zelenskyn për t’u pajtuar me thirrjen e Uashingtonit për një marrëveshje që do t’u jepte fund luftimeve në Ukrainë, ndërkohë që udhëheqësit evropianë kërkuan një rol më të fortë në këtë qëllim.

Trump tha se durimi i tij është drejt fundit dhe kritikoi rezistencën e Zelenskyt ndaj perspektivës së një armëpushimi të shpejtë, pa garanci konkrete të sigurisë, që Kievi i kërkon nga Shtetet e Bashkuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë