Shefja e sigurisë kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem, tha të enjten vonë se Presidenti Donald Trump e ka urdhëruar atë të pezullonte lotarinë Amerikane.
“Me udhëzimin e Presidentit Trump, unë po lajmëroj menjëherë USCIS (Shërbimet e Shtetësisë dhe Imigracionit të Shteteve të Bashkuara) që të pezullojnë programin DV1 për t’u siguruar që asnjë amerikan nuk do të dëmtohet nga ky program katastrofik.”
Si lidhet pezullimi i vizave me të shtënat në Universitetin Brown?
Noem tha se i dyshuari për të shtënat në universitetin Brown hyri në SHBA në vitin 2017 duke përdorur programin e vizave amerikane(DV1).
I dyshuari, një burrë 48-vjeçar portugez, i cili dy dekada më parë ishte student i Universitetit Brown, më vonë mori një ‘Green Card” (letrat) sipas të njëjtit program.
“Ky individ nuk duhej të ishte lejuar kurrë në vendin tonë”, tha Noem.
Javën e kaluar, dy persona u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën në një të shtënë masive në Universitetin Brown.
Autoritetet të enjten e gjetën të dyshuarin të vdekur nga plagët e shkaktuara vetë në një depo në shtetin e Neë Hampshire dhe po hetojnë rastin.
Hetuesit besojnë se autori ishte gjithashtu përgjegjës për vrasjen e profesorit të Institutit të Teknologjisë në Masaçusets, Nuno F.G. Loureiro, i cili u qëllua për vdekje në Boston të hënën, tha Prokurorja e SHBA-së për Masaçusets, Leah B. Foley.
Çfarë është lotaria Amerikane?
Programi i Vizave të Diversitetit për Imigrantë (Programi DV) vë në dispozicion mbi 50,000 viza emigruese çdo vit, sipas Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigracionit të Shteteve të Bashkuara.
Aplikantët e kualifikuar duhet të jenë “nga vende me shkallë të ulët emigracioni në Shtetet e Bashkuara”, sipas Departamentit të Shtetit dhe vendimi për të ndaluar programin pritet të kundërshtohet ligjërisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




