Gazeta Si – SPAK ka reaguar një ditë pas njoftimit të ambasadës amerikane në Tiranë për pezullimin e përkohshëm të fondeve për institucionet shqiptare nga Departamenti i Shtetit.
Në një reagim për Gazetasi.al, Prokuroria e Posaçme thotë se urdhri ekzekutiv i presidentit Donald Trump, nuk ndikon në punën e saj, pasi Strukturta e Posaçme, si një institucion i pavarur mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit.
“Jemi informuar për Urdhrin Ekzekutiv të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ndaluar implementimin e programeve të asistencës ndërkombëtare. SPAK është një institucion i pavarur, i cili mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit. Ligji 115 i vitit 2024 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë” parashikon edhe buxhetin e miratuar për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025”, thuhet në përgjigjen e dhënë për Gazetasi.al.
SPAK thekson se buxheti i ndihmave është për vizita, trajnime dhe pajisje të ndryshme që ndihmojnë në menaxhimin dhe hetimin e çështjeve.
“Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), prej krijimit kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve: OPDAT, ICITAP, DEA, FBI. Mbështetja e tyre është tejet e rëndësishme për fuqizimin e punës së SPAK dhe konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve”.
Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të ngrijnë fondet për misionet, organizatat dhe institucionet e shteteve të huaja për një periudhë 3-mujore, për një verifikim financiar të kostove të tyre. Urdhri, që mban firmën e presidentit Donald Trump, prek edhe Shqipërinë.
Ishte ambasada amerikane në Tiranë ajo që ka njoftuar institucionet shqiptare për ngrirjen e fondeve amerikane.
Nga pezullimi i fondeve preket edhe SPAK-u, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Fondet janë ngrirë për 3 muaj apo 90 ditë dhe më pas do të rishikohen.
Shtëpia e Bardhë sqaroi se urdhri presidencial për pezullimin dhe më pas rishikimin e fondeve, vjen për shkak të shpenzimit të parave pa kriter nga administrata Biden, siç njoftoi Karoline Leavitt, zëdhënësja për shtyp.
Institucionet shqiptare që preken nga pezullimi i fondeve amerikane:
Parlamenti, duke përfshirë komisionet e tij
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ministria e Drejtësisë, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve
Ministria e Mbrojtjes
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Ministria e Arsimit dhe Sportit
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët
Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përfshirë KESH, OST, OSHEE dhe Bursën ALPEX
Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit
Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
Ministria e Financave, përfshirë Agjencinë e Inteligjencës Financiare
Ministria e Brendshme, përfshirë Policinë e Shtetit, Agjencinë e Mbikëqyrjes së Policisë dhe Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm
Ministria e Shtetit dhe Zyra e Kryenegociatorit
Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë
Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë edhe të gjitha gjykatat e tjera
SPAK, përfshirë Prokurorinë Speciale dhe BKH
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, ILD, KPK, ONM
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike, AKSH, SASPAC
Të gjitha pushtetet vendore
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.