Bota

Trump paralajmëron Iranin të pranojë marrëveshjen bërthamore para se ‘të mos mbetet asgjë’

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin që të pranojë një marrëveshje bërthamore “para se të mos mbetet asgjë”, duke sugjeruar se sulmet e mëtejshme izraelite ndaj vendit do të jenë “akoma më të përgjakshme”.

Në një postim në Truth Social të premten herët në mëngjes, Trump shkroi se udhëheqësit iranianë “nuk e dinin çfarë po i priste. Tani janë të gjithë të vdekur dhe situata vetëm do të përkeqësohet”.

“Ka pasur tashmë shumë vdekje dhe shkatërrim, por ende ka kohë që kjo masakër të marrë fund, përpara se të ndodhin sulmet e ardhshme, të cilat do të jenë edhe më brutale,” shtoi ai. “Irani duhet të bëjë një marrëveshje, përpara se të mos mbetet më asgjë, dhe të shpëtojë atë që dikur njihej si Perandoria Iraniane”.

Bisedimet për një marrëveshje të re bërthamore me Iranin janë intensifikuar javët e fundit, por këmbëngulja e Teheranit për të pasur të drejtën e pasurimit të uraniumit është kthyer në një pengesë madhore.

Në një intervistë për CNN, më vonë, Trump tha see Shtetet e Bashkuara mbështesin Izraelin dhe e quajti sulmin ndaj Iranit shumë të suksesshëm. “Sigurisht që ne mbështesim Izraelin dhe e kemi mbështetur si askush më parë”, tha Trump në një telefonatë të shkurtër. “Irani duhet të më kishte dëgjuar kur thashë… nuk e di a e dini, por u dhashë një paralajmërim 60-ditor dhe sot është dita e 61-të”, shtoi presidenti.

“Tani ata duhet të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të arrijnë një marrëveshje para se të jetë shumë vonë. Do të jetë shumë vonë për ta. Njerëzit me të cilët po negocioja kanë vdekur, ata të vijës së ashpër”, tha presidenti, pa specifikuar se për kë bëhej fjalë.

I pyetur nëse kanë vdekur për shkak të sulmit të Izraelit, Trump u përgjigj me sarkazëm: “Nuk vdiqën nga gripi, nuk vdiqën nga Covid-i”.

Sipas informacioneve të deritanishme, katër figurat kryesore iraniane të vrara nga sulmi i Izraelit janë: Gjeneral Major Hossein Salami – Komandanti i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Gjeneral Major Mohammad Bagheri – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Ali Shamkhani – Ish-Këshilltar i Lartë për Sigurinë Kombëtare dhe Amir Ali Hajizadeh – Komandant i Forcave Ajrore të IRGC-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë