Biznes

Trump padit gjigandin JP Morgan për 5 mld dollarë: Më mbyllën llogaritë për motive politike!

Donald Trump ka paditur JP Morgan dhe shefin e saj ekzekutiv, Jamie Dimon, për të paktën 5 miliardë dollarë (3.7 miliardë paund), pasi pretendon se banka i ka mbyllur llogaritë për arsye politike.

Sipas raportimeve në SHBA, padia akuzon gjigantin bankar se ka mbyllur në mënyrë të padrejtë llogarinë bankare të presidentit për motive politike.

Padia u depozitua të enjten nga avokati i presidentit amerikan në një gjykatë në Miami, Florida.

Gjatë fundjavës, Trump shkroi në një postim në Truth Social: “Do ta padis JP Morgan Chase brenda dy javëve të ardhshme për DEBANKIMIN e gabuar dhe të papërshtatshëm që më bëri pas protestës së 6 janarit, një protestë që doli e drejtë për ata që protestonin – Zgjedhjet ishin TË MANIPULUARA!”

Depozitimi i padisë vjen një ditë pasi Dimon i quajti planet e Trump për vendosjen e një tavani mbi tarifat e kartave të kreditit një “katastrofë”.

Trump ka propozuar një plan për të kufizuar përkohësisht normat e interesit të kartave të kreditit në SHBA në 10%, duke filluar nga 20 janari dhe për një periudhë njëvjeçare.

I pyetur për këtë plan në Forumin Ekonomik Botëror, Dimon u shpreh: “Do të ishte një katastrofë ekonomike, dhe nuk po e them këtë për shkak të biznesit tonë, ne do ta përballonim gjithsesi.”

Një zëdhënës i JP Morgan deklaroi: “Ndërsa na vjen keq që Presidenti Trump na ka paditur, ne besojmë se kjo padi nuk ka bazë. Ne respektojmë të drejtën e Presidentit për të na paditur dhe të drejtën tonë për t’u mbrojtur,  për këtë shërbejnë gjykatat. JPMC nuk mbyll llogari për arsye politike apo fetare.

“Ne mbyllim llogari vetëm kur ato paraqesin rrezik ligjor ose rregullator për kompaninë. Na vjen keq kur detyrohemi ta bëjmë këtë, por shpesh rregullat dhe kërkesat rregullatore na çojnë drejt këtyre vendimeve.

“Kemi kërkuar si nga kjo administratë ashtu edhe nga administratat e mëparshme të ndryshojnë rregullat dhe rregulloret që na vendosin në këtë situatë dhe mbështesim përpjekjet e administratës për të parandaluar politizimin e sektorit bankar.”

JP Morgan rritet në bursë pavarësisht padisë së Trump

Aksionet e JP Morgan janë rritur pavarësisht lajmit. Aksioni i JP Morgan ishte rreth 1.2% më i lartë në orët e para të pasdites në Nju Jork, pasi padia u depozitua sot në emër të presidentit.

Një zëdhënës i bankës tha se ajo beson se “padia nuk ka asnjë bazë” dhe se “nuk mbyll llogari për arsye politike apo fetare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë